Diplomati më i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të premten se BE-ja po përgatit sanksione kundër Turqisë, që mund të diskutohen në samitin e ardhshëm të bllokut më 24 shtator, si përgjigje ndaj mosmarrëveshjeve të saj me Greqinë në Mesdheun lindor.
Masat e reja, që synojnë të kufizojnë aftësinë e Turqisë për të eksploruar burimet e gazit natyror në ujërat e kontestuara, mund të përfshijnë individë, anije ose përdorimin e porteve evropiane, tha zoti Borrell.
Bashkimi Evropian do të përqendrohet në gjithçka që lidhet me “aktivitete, të cilat ne i konsiderojmë të paligjshme,” shtoi ai.
Zoti Borrell i bëri komentet në Berlin, ku ministrat e jashtëm të BE-së u takuan për të diskutuar mbështetjen për Greqinë, pas ratifikimit nga Athina të një pakti mbi kufijtë e saj detarë, për t’iu kundërvënë pretendimeve të Turqisë ndaj burimeve energjitike në rajon, në klimën e manovrave ushtarake greke dhe turke.
Zoti Borrell, i cili kryesoi takimin, tha se blloku ishte gati për sanksione ndaj anijeve turke, për të mos lejuar hyrjen e tyre në portet e BE-së. Bashkimi Evropian mund të vendosë sanksione edhe ndaj ekonomisë turke.
“Ne mund të ndërmarrim masa që lidhen me aktivitete në sektorë të ndryshëm, ku ekonomia turke është e lidhur me ekonominë evropiane,” tha zoti Borrell në një konferencë shtypi, duke iu referuar sanksioneve të mundshme.
Megjithatë, zoti Borrell dhe ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas thanë se Bashkimi Evropian së pari dëshironte t’i jepte një mundësi dialogut, për të zbutur tensionet midis Greqisë dhe Turqisë, të dyja aleate të NATO-s.
Turqia është gjithashtu kandidate zyrtare për anëtarësim në BE. Kandidatura e saj është gjithashtu e rrezikuar dhe mund të tërhiqet në formën e një sanksioni, kanë thënë diplomatët.
Dy diplomatë të lartë të BE-së thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se ministrat e jashtëm ranë dakord t’ua linin çdo vendim udhëheqësve të qeverive të BE-së, që do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë më 24 shtator.
“Asgjë nuk do të vendoset para takimit të shtatorit,” tha një diplomat i lartë. Ai shtoi se Turqia mund të shpërblehet me një qasje më të madhe ndaj tregut evropian prej 450 milion konsumatorësh, nëse heq dorë nga eksplorimet në Mesdheun lindor.
Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje mbi të drejtat e shfrytëzimit të burimeve hidrokarbure në rajon, bazuar në pretendimet e kundërta për zgjatimin e daljes kontinentale të secilit vend.
Tensionet u përshkallëzuan këtë muaj kur Ankaraja dërgoi anijen e eksplorimit sizmik, Oruç Reis, në një zonë të diskutueshme, pas një marrëveshjeje të arritur midis Athinës dhe Kajros. /voa