Sot në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet për parlamentin e ri.
Shqiptarët në këto zgjedhje janë me dy lista, Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar. Qendrat e votimit janë hapur në 7 të mëngjesit.
Njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.
Këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për Malin e Zi, veçanërisht lidhur me aspiratat e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, një aspiratë e përbashkët për shumë vende të rajonit, si dhe për legjitimitetin e Parlamentit, duke marrë parasysh kontestimin e zgjedhjeve të mëparshme të 2016-s nga opozita dhe bojkotimin e mëvonshëm të punimeve parlamentare prej saj.
Zgjedhjet po zhvillohen përkundër një mosbesimi të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit dhe ndarjeje të shoqërisë lidhur me identitetin kombëtar të Malit të Zi.
Partia aktualisht në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve, ka drejtuar vendin pa ndërprerje që nga viti 1991.