Show - Biz
Rashica do ta ndihmojë Kosovën kundër Moldavisë
Ylli i Kosovës, Milot Rashica, do ta ndihmojë përfaqësuesen vetëm në një nga dy ndeshjet e Ligës së Kombeve që i luan Kosova këtë javë.
Ai do të jetë në dispozicion për ndeshjen e 3 shtatorit në Parmë kundër Moldavisë, por do të mungojë të dielën kundër Greqisë. Lajmi është konfirmuar edhe në faqen zyrtare të Werder Bremenit.
“Ne kemi arritur marrëveshje me federatat në fjalë. Të dy lojtarët do të udhëtojnë vetëm oër ndeshje që luhen në zona që nuk janë të rrezikshmërisë së lartë. Kjo do të thotë se ata nuk duhet të karantinohen mmë pas dhe do të jenë në dispozicion për ne”, ka thënë drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann, duke aloduar në Rashicën dhe holandezin Tahith Chong.
Rashica do të udhëtojë në Parma të Italisë këtë javë, ku do të luajë të enjten Kosova me Moldavinë, ndërsa do të mungojë në ndeshjen në shtëpi kundër Greqisë.
Show - Biz
Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara
Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.
Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.
Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.
Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, i tha BIRN se prej vitesh ka një trend rritës të sulmeve kibernetike në Shqipëri, gjë që reflekton trendin global apo tranformimin digjital që po ndodh në vend.
“Sulmet ndaj infrastrukturave kritike janë më të rrezikshmet, pasi impaktojnë shërbimet publike, dhe së dyti sigurojnë akses të keqbërësve në të dhënat personale dhe sensitive të qytetarëve në masë,” i tha BIRN Orkidea Xhaferaj, duke përmendur si shembull sulmin ndaj Bashkisë Tiranë në qershor 2025, që la pa shërbim mijëra qytetarë.
Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.
Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.
Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë. Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.
Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.
“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.
Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe bullizmi kibernetik gjithashtu kanë përbërë një volum të lartë të shkeljeve. Qytetarët e angazhuar në publik dhe grupet e margjinalizuara janë sulmuar vazhdimisht online, shpesh nga njerëz të paidentifikuar”, tha Prroni për BIRN.
“Në thelb, këto sulme kanë synuar të krijojnë një klimë frike dhe presioni që nxit vetëcensurën e gazetarëve dhe shkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në jetë publike”, shtoi ai.
Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.
“Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të qytetarëve për phishing dhe mashtrimet online mbetet kyç për adresimin e situatës”, i tha BIRN Xhaferaj.
Ajo shtoi se edhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike vendore duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e infrastrukturave lokale dhe të dhënave të qytetarëve.
Edhe hulumtuesi Prroni nga IDM theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit me mekanizma më efektive hetimi kundër mashtrimeve digjitale apo harmonizimin me rregulloret e BE-së përsa i përket përdorimin të platformave digjitale.
“Nevojiten përmirësime thelbësore të legjislacionit kundër mashtrimeve digjitale dhe mekanizma më efektivë hetimi”, i tha BIRN Prroni.
“Gjithashtu duhet punuar për harmonizimin e akteve të BE-së që rregullojnë mjedisin digjital, posaçërisht DSA-së në lidhje me sjelljen e platformave digjitale dhe Aktin e Inteligjencës Artificiale në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e materialeve të gjeneruara nga AI”, përfundoi ai.
Reporter.al
Bota
Europa mbushet me lodra kineze
Sezoni i festave ka nisur dhe për shumë familje blerja e lodrave është një nga prioritetet kryesore. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se në vitin 2024 Bashkimi Evropian ishte importues neto i lodrave nga vendet jashtë BE-së.
Sipas Eurostat, BE importoi lodra me vlerë 7.1 miliardë euro nga vende jashtë unionit, një rritje prej 0.6 miliardë eurosh krahasuar me vitin 2023. Ndërkohë, eksportet e lodrave të BE-së drejt vendeve jashtë unionit arritën në 2.5 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 0.2 miliardë eurosh.
Kina ishte furnizuesi kryesor i lodrave për BE-në, duke përbërë 80% të importeve totale, me një vlerë prej 5.6 miliardë eurosh. Pas saj renditen Vietnami me 6% (418 milionë euro) dhe Mbretëria e Bashkuar me 3% (188 milionë euro).
Sa i përket importeve brenda BE-së nga vendet jashtë unionit, Gjermania dhe Holanda ishin importuesit më të mëdhenj, secila me 17% të totalit, ndërsa Franca zuri 14% të importeve sipas vlerës.
Sa i përket eksporteve, Mbretëria e Bashkuar ishte destinacioni kryesor për lodrat e prodhuara në BE, duke thithur 33% të eksporteve jashtë BE-së, me një vlerë prej 838 milionë eurosh. Ajo ndiqet nga Zvicra me 13% (315 milionë euro) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 10% (245 milionë euro).
Të dhënat tregojnë gjithashtu se tre vende të BE-së përbëjnë gati 60% të eksporteve jashtë BE-së për nga vlera. Çekia ishte eksportuesi kryesor me 28%, e ndjekur nga Gjermania me 17% dhe Belgjika me 13%.
Këto shifra theksojnë varësinë e lartë të BE-së nga importet e lodrave, veçanërisht nga Kina, si dhe rolin e rëndësishëm të disa vendeve anëtare në eksportin e lodrave drejt tregjeve ndërkombëtare.
Albania
Shqipëria “kampione” e rritjes së çmimeve
Tryeza e festave edhe këtë vit do t’i kushtojë shtrenjtë familjeve shqiptare, pasi çmimet e shportës, por jo vetëm, vijojnë të rriten. Produktet bazë ushqimore, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore, po bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.
Shqipëria, nga vendi më i varfër tre dekada më parë, është transformuar në vendin më të shtrenjtë në rajon për të jetuar. Një realitet që reflektohet drejtpërdrejt në konsum, në zakonet e blerjes dhe në mirëqenien e familjeve shqiptare. Kjo vjen në të njëjtën kohë kur Shqipëria, sipas FMN, mbetet ende një nga vendet me fuqinë blerëse për individ më të ulët në Evropë dhe Ballkan.
Çmimet e larta janë çështja më shqetësuese ekonomike e shqiptarëve sipas rezultateve të Barometrit të Ballkanit 2025, të publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Sipas Barometrit, 72 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë rritjen e çmimeve si problemin kryesor, duke e renditur vendin tonë në vendin e dytë në rajon, pas Kosovës, ku për 77% të qytetarëve çmimet janë një problem shqetësues.
Iu rikthyem disa tregjeve në kryeqytet, të cilat i kishim vizituar tre vite më parë, për të krahasuar çmimet dhe për të parë nga afër se si ka ndryshuar situata. Diferencat janë të dukshme, ndërsa rritja e çmimeve ndihet pothuajse në çdo produkt.
Seli, tregtare prej vitesh, thotë se produktet që vijojnë të rriten janë perimet si kastraveci dhe domatja, që variojnë nga 200–240 lekë për kilogram. Një vit më parë, produktet e njëjta të serrave që prodhohen në vend ishin rreth 180–200 lekë për kilogram.
“Në janar çmimet do të rriten edhe më shumë, sepse mbarojnë produktet e serrave dhe hyn vetëm importi”, thotë Seli, duke shtuar se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë punën e tregtarëve të vegjël.
Me këto çmime edhe ne nuk presim të shesim shumë, duke e parë nga këndvështrimi i familjares tanimë e jo i tregtares, thotë ajo me shqetësim, ndërsa pranon se edhe vetë blen më pak për familjen e saj.
Edhe pse Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar disa herë se po i mbikëqyr çmimet, kjo nuk e ka ndaluar abuzimin. Situata ka sjellë edhe penalizime për subjektet që kanë shkelur ligjin.
“Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur gjashtë ndërmarrje grumbulluese për bashkërendim të çmimeve në dëm të fermerëve. Autoriteti thekson se pas një hetimi që zgjati gati dy vite dhe përfshiu disa qarqe të vendit, Komisioni i Konkurrencës konstatoi praktika të ndaluara që kishin shtrembëruar konkurrencën, kishin diktuar çmimet e blerjes si dhe kishin rënduar pozitat negociuese të fermerëve,” shprehet ky institucion.
Sipas Artan Gjergjit, ekspert ekonomik, fenomeni i rritjes së çmimeve është kompleks dhe ndikohet nga disa faktorë njëkohësisht.
“Duke qenë se jemi një vend i cili mbi 80% të transaksioneve import-eksport i ka me vendet e BE-së, padyshim që jemi të ekspozuar edhe ndaj ndikimit që ka inflacioni në këto tregje,” shpjegon ai.
Megjithatë, ajo që e bën paradoksale këtë fenomen është fakti se, edhe pse prej muajsh në Shqipëri vlera e euros është në pikën më të ulët, kjo nuk reflektohet në çmimet që shohim tek produktet. Madje, importi vijon të hyjë me çmime të shtuara, duke mos sjellë asnjë lehtësim për konsumatorët.
Një tjetër komponent është mungesa e konkurrencës në tregje të caktuara, e sidomos në sektorin e tregtisë, përfshirë mallrat ushqimore, thotë Gjergji, duke theksuar se kjo situatë favorizon rritjen artificiale të çmimeve.
Por mungesa e vijueshme e produkteve vendase mbetet faktori më madhor, që prej vitesh po dëmton ekonominë dhe po rrit varësinë nga importi. Sipas Barometrit, në vitin 2025 rritja e çmimeve dhe inflacioni vazhdojnë të kryesojnë listën e shqetësimeve publike, të përmendura nga 66% e të anketuarve.
Një vit më parë, indeksi i publikuar nga “Mercer” e rendiste Tiranën në vendin e 103-të në botë, duke kryesuar si qyteti më i shtrenjtë për të jetuar në rajon. Elementet e marra në shqyrtim ishin strehimi dhe ushqimet, dy zëra që rëndojnë më shumë buxhetin familjar.
Për familjet shqiptare, ushqimi mbetet një nga shpenzimet më të mëdha mujore dhe një barrë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.
Adileja është kryefamiljare dhe tregon se sa shpenzon në pazar:
“Blej gjithmonë sasi të vogla, vetëm për konsum ditor, që të mos më prishen, kryesisht perime; fruta më pak, sepse janë shumë të shtrenjta. Këto kohë kam blerë portokalle, se janë 100 lekë kilogrami. Me 5000 lekë thuajse nuk blen dot as për 2~3 ditë produkte bazë.”
Eksperti Gjergji thotë se ky lloj kursimi i detyruar redukton ndjeshëm mirëqenien.
“Reduktojnë në mënyrë drastike mirëqenien e individëve, pasi me të njëjtën sasi parash në dispozicion nuk mund të blejnë të njëjtën sasi mallrash dhe detyrohen të heqin dorë nga cilësia,” shprehet ai.
Të dhënat e INSTAT për muajin shtator 2025 tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me rreth 2.4% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, duke reflektuar një rritje të përgjithshme të kostos së jetesës për familjet shqiptare, dhe kjo përkthehet edhe në çmime më të larta, sa më shumë i afrohemi fundvitit.
Rritje të vazhdueshme që prej vitit 2019 ka pasur edhe bulmeti dhe nënproduktet e tij, ku rritjen më të madhe e ka djathi. Një kilogram djathë nga baxhot e Sarandës një vit më parë kushtonte 1200 lekë, ndërsa sot varion nga 1400~1500 lekë për kilogram.
Produktet e mishit po ashtu janë shtrenjtuar ndjeshëm. Mishi i viçit dhe ai i qingjit konsiderohen më të shtrenjtit, ku nga 1000~1100 lekë tanimë kushtojnë 1300~1500 lekë për kilogram. Mishi kryesisht po importohet, për shkak se blegtoria çdo vit njeh rënie shumë të ndjeshme.
Edhe këtë vit Shqipëria vijon të jetë “kampione” e rritjes së çmimeve, krahasimisht jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me vende europiane si Greqia dhe Italia. Faturat e fundvitit po u rëndojnë xhepat qytetarëve, të cilët, në vend që të mendojnë për të festuar, duhet të mendojnë për paratë e shpenzuara për tryezën festive.
Në shumë familje, blerjet po kufizohen vetëm në minimumin e domosdoshëm, ndërsa konsumi vijon të bjerë ndjeshëm.
-
Albania19 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK18 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports18 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania19 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
