Nga Richard Haass
Organizata e Kombeve të Bashkuara mbush 75-vjeçe këtë vjeshtë, dhe nëse ky do të ishte një vit normal, shumë nga udhëheqësit e botës do të mblidheshin në Nju Jork për ta kremtuar këtë moment historik, dhe për të hapur takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme.
Por ky vit është gjithçka përveçse jo normal. Nuk do të ketë asnjë mbledhje për shkak të Covid-19. Por edhe nëse do të kishte, do të kishte pak arsye për të festuar.
Kombet e Bashkuara nuk e kanë arritur qëllimin e vet për “ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, “zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis kombeve” dhe “arritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare”.
Dhe pandemia aktuale na ndihmon për të ilustruar pse-në. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, organi më i rëndësishëm i sistemit të OKB, e ka bërë veten kryesisht të parëndësishëm. Kina ka bllokuar çdo rol të rëndësishëm për organin ekzekutiv të OKB-së, që ajo të mos kritikohet për keq-menaxhimin fillestar të epidemisë, dhe që të mos mbahet përgjegjëse për pasojat e saj.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e kritikoi në fillim Kinën, por që atëherë i janë dobësuar pozitat nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr prej saj. Rezultati është se fuqitë e mëdha kanë OKB-në që ata duan, dhe jo atë që i duhet botës.
Por asgjë nga këto që shohim nuk është e re. Gjatë 4 dekadave të Luftës së Ftohtë, OKB-ja u bë arenë e rivalitetit të ashpër SHBA-Bashkimi Sovjetik. Fakti që Lufta e Ftohtë nuk u bë e nxehtë (siç ishte konkurrenca e madhe mes fuqive 2 herë më parë në shekullin XX), i detyrohet më pak asaj që ndodhi në OKB, dhe më shumë parandalimit bërthamor, dhe një ekuilibri mes fuqive, që imponoi një kujdes të madh në sjelljen e SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.
Rasti më madhor kur OKB-ja ndërhyri për të ruajtur paqen ndërkombëtare – duke ngritur një forcë ndërkombëtare për t’iu kundërvënë agresionit të Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut – ajo mundi ta bënte këtë vetëm sepse Bashkimi Sovjetik po e bojkotonte.
Në atë kohë, shumëkush shpresonte se OKB-ja mund të luante një rol më të madh gjatë Luftës së Ftohtë. Optimistët duket se janë shfajësuar disi në vitin 1990, kur vendet e botës u bënë bashkë përmes OKB-së, për të kundërshtuar pushtimin e Kuvajtit nga Sadam Huseini.
Mjerisht, Lufta e Gjirit provoi të ishte një përjashtim. Lufta e Ftohtë sapo kishte mbaruar, dhe marrëdhëniet midis SHBA-së, dhe Kinës dhe Bashkimit Sovjetik ishin relativisht të mira.
Në skenën ndërkombëtare kishte pak simpati për diktatorin irakian, agresioni i të cilit shkelte normën ndërkombëtare themeltare, sipas së cilës kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Dhe synimi i koalicionit të bekuar nga OKB, dhe të udhëhequr nga SHBA-ja, ishte i kufizuar dhe konservator:të dëbonte trupat irakiane nga Kuvajti, të rivendoste aty statuskuonë, dhe jo të ndryshonte regjimin në Irak.
Rrethana të tilla, vështirë se mund të përsëriten më. Marrëdhëniet mes fuqive të mëdha u përkeqësuan ndjeshëm, dhe OKB u bë gjithnjë e më e parëndësishme. Rusia (që trashëgoi vendin e Bashkimit Sovjetik në Këshillin e Sigurimit), parandaloi një veprim të unifikuar për të ndaluar gjakderdhjen në Ballkan.
Mungesa e mbështetjes ndërkombëtare, e motivoi administratën e presidentit Xhorxh W.Bush të anashkalonte OKB-në kur SHBA-ja hyri në luftë me Irakun në vitin 2003. Kundërshtia ruse përjashtoi çdo veprim të OKB-së, kur Moska aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë në vitin 2014.
Gjithashtu, OKB-ja dështoi të parandalojë gjenocidin në Ruandë në vitin 1994. Një dekadë më vonë Asambleja e Përgjithshme, duke u zotuar se nuk do ta lejonte më kurrë diçka të ngjashme, deklaroi se bota kishte “përgjegjësinë për të mbrojtur” ose ndërhyrë, kur një qeveri nuk ishte në gjendje ose nuk dëshironte të mbronte qytetarët e saj nga një dhunë në shkallë të gjerë.
Por kjo doktrinë kryesisht është shpërfillur. Bota po qëndron duarkryq përballë konflikteve të tmerrshme, që kanë shkaktuar vdekjen e qindra mijëra civilëve në Siri dhe Jemen. Edhe në një rast kur u evokua kjo doktrinë, në vitin 2011 në Libi, ajo u diskreditua pasi koalicioni i udhëhequr nga NATO shkoi më larg nga sa kërkonte doktrina, duke e rrëzuar qeverinë ekzistuese, teksa më pas nuk e mbikëqyri procesin e rindërtimit të vendit, duke krijuar kësisoj një vakum pushteti që vazhdon ta sfilitë edhe sot këtë vend.
Por kjo nuk do të thotë se OKB-ja është aktualisht një institucion krejtësisht i pavlerë. Kjo pasi ajo siguron një vend të dobishëm ku qeveritë mund të bisedojnë, qoftë për të shmangur apo zbutur një krizë. Agjencitë e OKB-së, kanë promovuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, dhe kanë lehtësuar arritjen e marrëveshjeve të ndryshme, duke filluar nga telekomunikacioni tek monitorimi i objekteve bërthamore.
Misionet e saj paqeruajtëse, kanë ndihmuar në ruajtjen e rendit në shumë vende. Por në përgjithësi OKB-ja ka zhgënjyer, për shkak të rivaliteteve mes fuqive të mëdha, dhe ngurrimit të vendeve anëtare për të hequr dorë nga liria e veprimit.
Në këtë drejtim nuk kanë ndihmuar aspak mangësitë e vetë organizatës:me një sistem emërimesh që vendos shumë njerëz në pozicione të rëndësishme për arsye të tjera që nuk kanë lidhje me kompetencën, dhe ku ka mungesë të llogaridhënies dhe shumë hipokrizi (si rasti kur vendet që shpërfillin të drejtat e njeriut bëjnë pjesë në një organ të OKB-së që mbështet zbatimin e tyre).
Ndërmarrja e reformave të rëndësishme në OKB nuk është një opsion realist, pasi ndryshimet e mundshme, si ndryshimi i përbërjes së Këshillit të Sigurimit për të reflektuar shpërndarjen e pushtetit në botën e sotme, do të favorizonin disa vende, dhe do të dëmtonin disa të tjera.
Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme, organi më “demokratik” dhe përfaqësues i OKB, nuk ka “dhëmbë”, dhe ajo është joefektive për sa kohë që çdo vend ka vetëm një votë, pavarësisht nga madhësia, popullsia, pasuria ose fuqia e tij ushtarake.
Ajo që e bën këtë situatë një krizë, është fakti që nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar është shumë e madhe. Ne përballemi jo vetëm me ringjalljen e rivalitetit mes fuqive të mëdha, por edhe me sfida të shumta globale, nga pandemitë dhe ndryshimi i klimës, tek përhapja e armëve bërthamore dhe terrorizmi, për të cilat nuk ka një përgjigje të njëanshme.
Lajmi i mirë është se kur OKB nuk funksionon, vendet mund të krijojnë alternativa, të tilla si G7 dhe G20. Mund të ndërtohen koalicione të vendeve të rëndësishme, të gatshme dhe të afta për të trajtuar sfidat specifike rajonale dhe globale.
Ne po shohim versione të tyre në politikën tregtare dhe mbi kontrollin e armëve, dhe mund ta shohim atë edhe në veprimet kundër ndryshimit të klimës, dhe në hartimin e normave të sjelljes në hapësirën kibernetike. Kauza e multilateralizmit dhe qeverisjes globale është më e fortë se kurrë më parë. Por, për mirë a keq, ato do të duhet të zhvillohen kryesisht jashtë OKB-së.
Shënim: Richard Haass, kreu i Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme (CFR). Më herët ka shërbyer si Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin amerikan të Shtetit në vitet 2001-2003, ka qenë i dërguari special i presidentit Bush në Irlandën e Veriut, dhe koordinator për të ardhmen e Afganistanit. / “Project Syndicate” – Bota.al