Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se deri në datën 12.10.2020, mbetet në fuqi ndalimi i hyrjes së qytetarëve nga Shqipëria për në Greqi. Gjithashtu të gjithë ata që hyjnë në Greqi duhet të paraqesin testin negativ për COVID-19 i kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar.
“Përjashtohen nga ndalimi i hyrjes: qytetarët grekë, poseduesit e lejes së qëndrimit, si dhe persona që e kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi. Kalimi i kamionëve për transport mallrash. Hyrja e personave për udhëtime profesionale absolutisht të domosdoshme, që e vërtetojnë me dokumentet përkatëse. Veçanërisht për rastin e kufijve tokësorë, poseduesit e Kartës së Posaçme të Identitetit të Homogjenit. Hyrja në territorin grek apo dhe dalja prej tij, për rastet e referuara më lart, lejohet VETËM nga pikat kufitare të kontrollit të Kakavijës dhe të Kapshticës”, bën me dije MEPJ.
“Të gjithë ata që hyjnë në Greqi duhet të paraqesin: Testin negativ për COVID-19 (me metodën PCR), i kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publikë ose privatë të certifikuara në Shqipëri (nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët e lindur nga 2011 e tutje). Vërtetim diagnoze në anglisht (në të cilën duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/ numri i kartës së identitetit të individit). Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF (Passenger Locator Form), me kodin QR (në adresën elektronike https://travel.gov.gr )”, theksohet në njoftimin e MEPJ.