Duke mbrojtur investimet në luftën kundër pandemisë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, u shpreh: “Ne do të kemi nevojë për vaksina dhe ka shpresë që deri në fund të këtij viti, do të mund të kemi vaksinë”
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, tha sot se vaksina kundër koronavirusit të ri (COVID-19) mund të jetë gati në fund të vitit 2020.
Duke mbrojtur investimet në luftën kundër pandemisë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Ghebreyesus u shpreh: “Ne do të kemi nevojë për vaksina dhe ka shpresë që deri në fund të këtij viti, do të mund të kemi vaksinë”.
Ghebreyesus mbajti një konferencë për media pas takimit dyditor të bordit ekzekutiv të organizatës me 34 anëtarë.
“Pra, investimi në vaksina gjatë implementimit të mjeteve me të cilat disponojmë do të jetë i rëndësishëm dhe do të na japin rezultate më të mira”, theksoi ai.
Aktualisht, struktura globale e vaksinave Covax e udhëhequr nga OBSH ka 9 vaksina eksperimentale që mbulojnë 168 vende ndërsa synon të shpërndajë 2 miliardë doza për ata që kanë më shumë nevojë për to deri në fund të vitit 2021.
“Gjëja më e rëndësishme tani është investimi ose përdorimi i të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion dhe shumë vende kanë treguar se me mjetet që kemi, ishin në gjendje të shuajnë dhe kontrollojnë pandeminë”, tha Ghebreyesus duke theksuar se për këtë arsye OBSH nisi programin ACT Accelerator.
“Mjeti më i rëndësishëm është angazhimi politik nga udhëheqësit tanë, veçanërisht në shpërndarjen e drejtë të vaksinave”, shtoi ai.