Sesionin parlamentar, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e çeli me një fjalim të gjatë, në të cilin i referohej Jeruzalemit si “qyteti ynë”, një përkufizim ky që u raportua me shpejtësi nga mediat izraelite.
Erdoğan iu referua sundimit të Perandorisë Osmane mbi Jeruzalemin, i cili zgjati katër shekuj, nga 1517 deri në 1917, për të justifikuar pretendimin e tij. “Në këtë qytet, të cilin na u desh ta lëmë mes lotësh gjatë Luftës së Parë Botërore, ende mund të gjesh gjurmë të rezistencës Osmane.
“Kështu që Jeruzalemi është qyteti ynë, një qytet nga ne”, tha kreu i shtetit turk. Erdogan përmendi se muret e Jeruzalemit që ende qëndrojnë në këmbë sot, si dhe Kupola e Shkëmbit në Qytetin e Vjetër, u rindërtuan dhe restauruan nga Sulejmani i Madhërishëm, i cili sundoi në Perandorinë Osmane nga 1520 deri në vdekjen e tij në 1566.”Çështja e Jeruzalemit nuk është një problem i zakonshëm gjeopolitik për ne,” tha Erdoğan.
“Së pari, pamja aktuale e Qytetit të Vjetër, e cila është zemra e Jeruzalemit, u ndërtua nga Sulejmani i Madhërishëm, me muret e tij, pazarin , dhe shumë ndërtesa. Paraardhësit tanë treguan respekt për shekuj me radhë duke e mbajtur këtë qytet kaq të vlerësuar”, u shpreh Erdogan duke shtuar se Sulejmani njihej për mbrojtjen e nënshtetasve hebrenj të perandorisë së tij përmes reformave të paprecedent për kohën, dhe besohet se ka pasur nënë hebraike.
Pas kësaj, presidenti turk iu kthye çështjes palestineze, duke deklaruar se e “e konsiderojnë nder në emër të vendit dhe kombit tonë shprehjen e të drejtave të popullit të shtypur palestinez, me të cilin, sic tha, kemi jetuar prej shekujsh.