Komisioneri për zgjerim Varhelyi ka deklaruar në konferencë për shtyp me kryeministrin Rama, se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë. Varhelyi tha se BE-ja kërkon një reformë të besueshme zgjedhore.
“Shikojmë që ka ende sfida përpara. Natyrisht që ka punë në luftën kundër krimit e korrupsionit që duhet vijuar. Por ne shikojmë se ka lëvizje në këtë drejtim, ka lëvizje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Unë shkoja t’i vizitoja anëtarët e organeve të vettingut, proces kyq që Shqipëria të ecë para. Duhet që organet e drejtësisë duhet të bëjnë detyrën e tyre. Mbase nuk e dinë sesa të famshëm janë jashtë Tiranës… Neve na duhet një reformë e besueshme zgjedhore. Këto zgjedhje do të jenë testi”, tha Varhelyi.
Në lidhje me kodin e ri zgjedhor të votuar në parlament të hënën (pa konsensusin e opozitës jashtëparlamentare), Varhelyi tha se çështje thelbësore është që ndryshimet të mos pengojnë koalicionet para dhe paszgjedhore. Komisioneri u rezervua të japë aprovim apo mohim të kodit zgjedhor, por u shpreh se po i analizojnë ndryshimet e reja.
-Thatë që do të dilnit në terren për të parë nëse marrëveshja e 5 qershorit është shkelur. A keni një mendim nëse është shkelur kjo marrëveshje? A mendoni se është përmbushur kushti për reformën zgjedhore?
“Ne jemi duke analizuar për çfarë ka votuar kuvendi, por ajo çka mund t’u them, është që duket se ka të bëjë me një çështje. Për aq kohë sa koalicionet paszgjedhore nuk parandalohen apo nuk bëhen më të vështira, atëherë ne mund ta shikojmë atë ligj me një mendje të hapur. Por nuk mund të kufizojmë të drejtat për të formuar koalicione para apo paszgjedhore. 5 qershori është i rëndësishëm, une mendoj se në bazë të asaj marrëveshje uroj që partitë politikë të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Varhelyi.
Ndërkohë kryeministri Rama ka folur në lidhje me një tjetër kusht të rëndësishëm për integrimin, atë të ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Rama tha se smund të bëjë parashikim nëse Kushtetuesja do të jetë funksionale deri më 1 janar të vitit të ardhshëm, por shtoi se Shqipëria s’mund të penalizohet pasi ka ‘spastruar’ drejtësinë nga korrupsioni.
-A mendoni se më 1 janar Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale?
“Nuk mund të bëj parashikime. Reforma në drejtësi ka bërë që i gjithë procesi i krijimit të institucioneve të reja të jetë krejtësisht i pavarur. Bindja ime është që, e ndava dhe me komisionerin, është që Shqipëria s’mund të penalizohet ngaqë ka bërë spastrim shumë të madh! Pse nuk kemi ne sot Kushtetuese? Mos e kemi eleminuar nga Kushtetuta? Jo! Sepse kemi bërë një spastrim që as në imagjinatë nuk e ka parë, jo vetëm asnjë qeveri këtu, por as rajoni”, tha Rama.