anë shtuar spekulimet se Koreja Veriore do t’i prezantojë armët më të reja në një paradë të madhe këtë fundjavë për ta shënuar 75-vjetorin e themelimit të Partisë së Punës, e cila e ka pushtetin absolut në shtetin komunist.
Kjo paradë, e cila përcillet me interesim të madh për shkak të dyshimeve për zhvillimin e armëve të reja, pritet të jetë organizimi më i madh i këtij lloji në historinë e Koresë Veriore, shkruan The Guardian.
Sipas një faqeje që i përcjell zhvillimet në Korenë Veriore, e quajtur “38 North”, pamjet satelitore tregojnë që në këtë paradë do të marrin pjesë mijëra ushtarë, të cilët do të përcillen nga lideri i tyre suprem, Kim Jong-un.
Pas trupave do të kalojnë tanket dhe automjetet tjera të blinduara, por interesimi më i madh do të jetë për raketat me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të arrijnë deri në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Bisedimet rreth armëve bërthamore mes liderit të Koresë Veriore dhe presidentit amerikan, Donald Trump, kanë ngecur që nga samiti i vitit të kaluar, i cili kishte përfunduar pa marrëveshje.
Gjatë fjalimit për Vitin e Ri, Kim Jong-un kishte thënë se do ta prezantojë një armë të re strategjike. Analistët besojnë se mund të bëhet fjalë për raketën e tipit ICBM, e cila mund të bartë disa koka bërthamore.