Xherdan Shaqiri ka kaluar koronavirusin dhe është i gatshëm ta udhëheqë Zvicrën ndaj Gjermanisë. Gjermania e Zvicra takohen sonte nga ora 20:45 në Koeln, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Shaqiri së fundi është kthyer te Zvicra, ndërsa u aktivizua si zëvendësues të shtunën ndaj Spanjës. Javën e kaluar ai fillimisht doli pozitiv në testin për koronavirus, por më pas pranoi rezultat negativ dhe fitoi të drejtën e lojës. Rezultati pozitiv e kishte befasuar yllin shqiptar. Kjo pasi ai e kishte kaluar koronavirusin shumë më herët.
“Unë dhe trupi im tashmë e kemi ndier atë. Në Angli ne jemi testuar secilën javë, kështu që ishte pak befasuese kur dola pozitiv, kur erdha në Zvicër. Por, kam qëndruar i qetë pasi e kam ditur se tashmë e kisha virusin. Simptomat i kisha normale. Kam qëndruar në shtëpi për dy javë dhe i jam përmbajtur izolimit”, ka thënë Shaqiri të hënën në konferencë për shtyp.
Në Zvicër është rritur presioni që Shaqiri të startojë ndaj Gjermanisë. Ai është kthyer te Zvicra pas më shumë se një viti dhe vlerësohet lojtar që mund ta bëjë dallimin.
Lojtari i Liverpoolit u shpreh i lumtur për kthim në përfaqësuese. Është i vendosur ta ndihmojë ekipin përfaqësueses dhe thotë se në fushë është ndier shumë mirë.
“Shumë është shkruar për mungesën time, duke përfshirë gjëra të gabuara. Gjithnjë luaj me zemër e shpirt kur bëhet fjalë për ekipin e përfaqësueses. Asnjëherë nuk kam pasur telashe mentale. Edhe tani do ta jap më të mirën dhe do të mundohem ta ndihmoj ekipin”, ka theksuar Shaqiri.
Ndonëse është përballur me lëndime të shumta, Shaqiri ka besim në trupin e tij. Ndryshe nuk do të ishte grumbulluar. Ai është i lumtur që sërish është i gatshëm për lojë.
Te Zvicra, Shaqiri e ka rolin e tij.
“Nuk ka ndryshuar. Kam përvojë dhe jam veteran. Do të mundohem t’i ndihmoj djemtë, pasi mendoj se secili në përfaqësuese duhet të marrë përgjegjësi. Me gjithë mungesën, kam mbetur i njëjti”, thotë 29-vjeçari. Është pritur një transferim, por ai ka mbetur te Liverpooli.
“Nuk dua të flas shumë për klubin këtu. Ne jemi këtu për ndeshjen e madhe ndaj Gjermanisë. Natyrisht, kam menduar edhe unë për atë. Por, kam vendosur të qëndroj te Liverpooli. Do të mundohem të ndërtoj paraqitjet e mira nga e kaluara”.
Shaqiri ka marrë vlerësimet edhe të selektorit të Gjermanisë, Joachim Loew. Ndaj ekipit të tij, sulmuesi i krahut pritet të luajë prej fillimit. Dhe pritjet janë që ta bëjë dallimin.