Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur të marrë një pikë nga përballja me Greqinë në Athinë, në kuadër të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Ekipet barazuan pa gola, me grekët që rrezikuan më shumë në pjesën e parë, e Kosovën në pjesën e dytë.
Lirim Kastrati dhe Leart Paqarada patën rastet më të mira për Kosovën në fillim të pjesës së dytë, por asnjëri s’arriti t’ia siguronte “Dardanëve” tre pikët e para në grup.
Rasti më i mirë i ndeshjes ishte për vendasit. Në minutën e 19-të Bakasetas humbi penaltinë. Aro Muriq priti me sukses gjuajtjen e tij.
Barazimi vjen pas tri humbjeve rresht, ndaj Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë. Kosova këtë ndeshje e zhvilloi pa shumicën e lojtarëve kryesorë.
Në kuadër të Grupit 3 në Ligën C, Sllovenia është lider me 10 pikë, pas fitores sonte ndaj Moldavisë (4:0). Greqia është e dyta me tetë pikë, ndërsa Kosova zë vendin e tretë me dy pikë. Moldavia mbetet në fund me vetëm një pikë pas katër ndeshjesh.