Listës së shteteve, banorët e së cilave nuk mund të hyjnë në Kosovë pa e poseduar një test PCR-Negativ, i është shtuar edhe Portugalia. Aktualisht, pjesë e kësaj liste janë 16 shtete, raporton Express.
Të gjitha këto shtete kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, gjë që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë.
Por, si vendoset që një shtet ka rrezik të lartë të infektimit?
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web faqen e Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.
“Lista është e publikuar në web-faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, kanë deklaruar nga Ministria.