Ditën e sotme nga selia e PS, Kryeministri Rama ka prezantuar platformën “Deputeti që duam”, të cilën e cilësoi si ftesë të hapur për këdo që ka ambicien “e kurajon për ta provuar veten në të përpjetën e politikës, me mua dhe Partinë Socialiste”.
Rama tha përmes një video ku do të shpjegohen arsyet pse duan të aplikojnë, për tu bërë pjesë e PS.
“Ne do mbledhim të gjitha shprehjet e interesit që mund të vijnë nga të gjithë, të rinj dhe të reja, jo vetëm në moshë por edhe të rinj të reja në mendje ide e dëshirë dhe jemi shumë të lumtur që ndajmë këtë eksperiencë tonën me njerëz që ndajnë me ne të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin angazhim për të cuar para punët e vendit e për të bërë sa më shumë e sa më mirë shërbimin ndaj vendit e qytetarëve. Dua tu them të gjithëve, që nga të rejat e të rinjtë në moshë, që mund sapo të kenë mbaruar shkollën, qe punojnë, në privat, shtet, në fermë, në emigracion, që janë të mirëseardhur të shprehin interesin e tyre. Po kështu gra dhe burra me ide apo energji të reja që vijnë nga eksperienca si mësuese, mësues, shërbëtorë publikë, ekspertë në cdo lloj fushe, që punojnë në hapësirën e sipërmarrjes, në media, s’ka asnjë kufizim, që janë aktivë e kanë talent për ta përkthyer aktivizmin e tyre në audienca të respektueshme në rrjetet sociale”.
Rama u pyet nëse ky proces do shërbejë që qeveria të shkojë në zgjedhje me ndryshime në kabinet, për largime të ministrave në bazë të vlerësimit që do marrin nga anëtarësia e partisë.
Për këtë shefi i qeverisë tha: “Kabinetin e ministrave e kemi të mirë por patjetër që e mira s’ka asnjë herë fund e secili, unë i pari, ka mundësi të bëjë më shumë dhe duhet të kërkojë nga vetja cdo ditë e më shumë. Në kërkim të përditshëm për ta bërë më mirë punën ka një vlerë të madhe edhe dëgjimi i njerëzve në këtë punë që bëjmë ne. Dëgjimi specifik i anëtarësisë së partisë është vlerë e shtuar në gjithë këtë, për të kuptuar individualisht se cila është marrëdhënia, ndjesia, shkalla e lidhjes mes anëtarëve të famlijes sonë politike me përfaqësuesit e tyre në cdo qark, cili është vlerësimi për përfaqësuesit tanë në qeveri dhe mbasi të bëjmë këtë , në ciklin tjetër do hyjmë më thellë duke bërë pyetje më specifike për anëtërët e qeverisë. Kjo fazë është kolaudim i një procesi krejt të ri”.