Studentët po zhvillojnë përpara Ministrisë së Arsimit një protestë kundër urdhrit për mbylljen e auditorëve dhe kundër mësimit online.
Sipas tyre, vendimi u ka ardhur pak ditë përpara se të hapej viti akademik.
Shumë prej tyre thanë se ishin bërë gati, madje kishin marrë edhe banesat me qira.
“Është e palogjikshme të dalë një urdhër tre ditë para nisjes së vitit akademik,” tha një prej studentëve.
Më të revoltuarit janë ata që nisin vitin e parë akademik.
Sipas tyre, nuk mund të përfitohet asgjë nga mësimi online.
Për shumicën e studentëve, është absurde që qeveria bën fushatë dhe takime elektorale, si dhe lejon baret e restorantet, por mbyll dyert e universiteteve.
“Injoranca vret më shumë se virusi”, “Mësimi online, fushata offline”, lexohet në disa prej pankartave më pikante të studentëve.
Studentët kanë paralajmëruar protesta të përditshme nga ora 10:00 deri në 13:00 derisa të marrin një përgjigje nga qeveria për kërkesat e tyre./Ora news/