Në orën 18:00 kanë hyrë në fuqi masat e reja ndaj koronavirusit, të marra nga Qeveria e Kosovës.
Prishtina dhe nëntë komuna tjera, prej orës 19:00 deri në orën 05:00 do të kenë kufizim në lëvizje.
Aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën “zonë” të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna.
Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër që ka rrezikshmërinë më të ulët.
Qeveria ka futur në zonë të kuqe qytetet me mbi 150 raste në javë për 100 mijë banorë. Qytetet tjera në këtë zonë janë Peja, Gjakova, Ferizaj, Gjilani, Shtimja, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 19 komuna; Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti.
Në zonën e gjelbërt bëjnë pjesë komunat (10) me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim; Malisheva, Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Rahoveci, Juniku, Skenderaj, Istogu, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Të premten, në Kosovë u shënuan 963 raste të reja me koronavirus, ndërsa 13 persona vdiqën.
Këto raste kanë dalë nga testimi i 2056 mostrave. Me këtë numri i përgjithshëm i të prekurve ka shkuar në 27851.