“Kjo maskë nuk të mbron nga pandemia, por mbulon dhimbjen që ka pushtuar këtë vend”, u shpreh sot kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me të rinjtë në Shkodër.
Kryemadhi tha se do ta mbajë me kënaqësi maskën me LSI me ngjyrën e kuqe.
“Unë jam socialiste në thelb, dhe kur e dëgjon dikush këtë në Shkodër, shikon me ilaritet. Socialist do të thotë njeri që të jep dorën, që bashkëpunon në komunitet e jo totalitarizëm. Që të kurohet sot një pacient nga covidi i duhen mbi 1 milionë lekë, për 1 rrogë minimale i duhen 5 muaj për të paguar shërimin e një të sëmuri”, u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së vijoi duke thënë se ka takuar socialistë që i thonë se Edi Rama i ka braktisur.
“Kur një socialist prej 30 vitesh që ka sakrifikuar, ka dhënë votën për Edi Ramën, ndihet i zhgënjyer, si ndihet një qytetar tjetër. Me regjimin e Edi Ramës çdo qytetar që paguan taksa është kthyer në një skllav modern të rilindjes”, tha ajo.
Ajo u shprehu të rinjve keqardhjen për sistemin shkollor.
“Do doja të mësoja më shumë për historinë e Rozafës, që po tjetërsohet çdo ditë. Do doja të dëgjoja vargjet e Gavril Darës, e jo tekset e përkthyera me google translate”, tha Kryemadhi.