Publikohen dëshmitë e rralla dhe të panjohura të znj. Flora Sata Dishnica ish-sekretare e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare gjatë periudhës së Luftës, që u nda nga jeta para pak javësh, në moshën 96 vjeçare, e cila bashkë me bashkëshortin e saj, Dr. Ymer Dishnica dhe fëmijët e tyre, vuajtën në internim deri në fillimin e viteve ’90-të, pasi ishin goditur familjarisht nga Enver Hoxha që në fillimin e viteve ’50-të, si “armiq të popullit”!
Dëshmitë e rralla të znj. Dishnica, e njohur ndryshe si Gjystina Sata, lidhur me intrigat, makinacionet dhe prapaskenat e Enver Hoxhës, në eliminimin fizik të shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, siç ishte dhe Mustafa Gjinishi, për të cilin, ai (Enveri), kishte ngarkuar Liri Gegën, gjatë kohës që ajo ishte në rrethin e Dibrës me Divizionin e Parë Sulmues, që e komandonte, bashkëshorti i saj, gjeneral-major, Dali Ndreu, të cilët gjithashtu, Enveri i pushkatoi në vitin 1956, edhe për të mbuluar gjurmët e krimeve të tij gjatë periudhës së Luftës!
“Së bashku me Teodor Hebën, ishim duke punuar me shifrën sekrete në dhomën tonë në Helmës, ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm. Ne punonim me tre shifra sekrete, që ishin: një për Miladinin, një për Enverin dhe tjetra e hapur për të gjithë. Këto shifra i dinim vetëm unë e Teodori, të cilat, sipas urdhërave që na i jepnin personat që u adresoheshin, ose i dëshifronim vetë, ose u’a jepnim atyre. Telegrami që erdhi për Gjinishin, ishte tepër sekret dhe i drejtohej me emër Enverit. Unë, porsa e mora, i’a çova Enverit dhe ai më tha: ‘Dëshifroje vetë’. Në atë telegram thuhej: ‘Çdo gjë mbaroi me sukses, sipas porosisë tuaj. Prisni fonogramin’. Teodori, që ishte shumë njeri i mbyllur, më tha t’ja çoja Enverit dhe unë i thashë, se ja dhashë Enverit, por ai më tha: ‘Dëshifrojeni ju’. Unë, si kurioze e madhe që isha, mezi prisja të nesërmen që të shihja se çdo të kishte ai fonogram. Atë ditë erdhi dhe telegrami i gjatë me shifër të thjeshtë për zyrën tone, ku ndërmjet të tjerash thuhej: ‘Duke kaluar në një qafë mali (s’më kujtohet emri por ishte diku në zonën e Dibrës), hasëm në një pritë ku ishte pozicionuar dora tradhëtare e armikut, që qëlloi mbas shpine shokun tonë të dashur Mustafa Gjinishi. Një humbje e madhe për ne dhe për Luftën. Ju japim me hidhërim të madh këtë lajm’. Pasi e lexova fongramin, i thashë Teodorit: ‘Kjo gjë paskë qenë me sukses’?! Kështu e kujtonte ish-sekretarja e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Flora Sata Dishnica, e cila u nda nga jeta para pak javësh në moshën 96 vjeçare, (më 7 nëntor 2020) intrigat dhe prapaskenat e ish-shefit të saj, lidhur me eliminimin fizik të Mustafa Gjinishit, një prej personaliteteve të Luftës Antifashiste në Shqipëri.
(Këto dëshmi që publikohen për herë të parë në këtë shkrim, ja kemi marrë znj. Flora Sata Dishnica, para disa kohësh në shtëpinë e saj në Tiranë, së bashku me studjuesin dhe historianin e njohur, Sherfif Delvina, (kushëri i parë i bashkëshortit të saj, Dr. Ymer Dishnica), me kusht që t’i publikonim vetëm pas ndarjes së saj nga jeta. Në këtë kontekst, edhe në shënjë homazhi, për znj, Flora Sata Dishnica, Memorie.al vendosi publikimin e tyre.)
Kush ishte Mustafa Gjinishi?
Mustafai u lind në vitin 1910, në fshatin Gjinish të Peqinit në një nga familjet më të njohur të asaj krahine. Babai i tij Adem Gjinishi, në fillimin e viteve 1920, u bashkua me grupin e politikanëve që kishin si udhëheqës të tyre Fan Nolin dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 1923, ai u vra nga kundërshtarët e tij politikë, që sipas disa dëshmive, thuhej të kenë qenë mbështetësit e Shefqet Vërlacit, që asokohe ishte në aleancë të ngushtë me Ahmet Zogun. Nga fundi i viteve ’20-të, Mustafa Gjinishi, mundi që të përfitonte një bursë shtetërore për të vazhduar studimet në shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë, gjë e cila i’u mundësua nga Mbreti Zog, i cili e kishte bërë si zakon që për t`ju ardhur në ndihmë familjeve të kundërshtarëve të tij politik, u’a dërgonte fëmijët nëpër shkolla. Pas mbarimit të kësaj shkolle me rezultate shumë të mira, Mustafai, u kthye pranë familjes së tij në rrethinat e Peqinit, të cilët vazhdonin të ishin në armiqësi me Vërlacët dhe gjithashtu edhe Mbretin Zog. Nisur nga kjo situatë, Mustafai u detyrua që të emigronte jashtë Shqipërisë dhe u vendos në Jugosllavi, ku fitoi dhe azilin politik. Gjatë kohës së emigracionit, Gjinishi, u punësua për disa kohë pranë ambasadës Britanike në Beograd, në rolin e përkthyesit. Pas agresionit fashist italianë ndaj Shqipërisë në vitin 1939, Mustafai u bashkua me Abaz Kupin e Mustafa Kaçaçin, si dhe disa emigrantë të tjerë antifashistë, të cilët asokohe ndodheshin në Jugosllavi në pritje për t’u kthyer në Shqipëri. Në kuadrin e organizmit të Luftës Antifashiste në Ballkan, gjë e cila ishte marrë përsipër nga qeveria Britanike dhe amerikanët, aty nga fundi i vitit 1941, Gjinishi u kthye në Shqipëri së bashku me Abaz Kupin e Mustafa Kaçaçin, të shoqëruar nga një major anglez i quajtur Crispp. Gjatë kthimit në Shqipëri në mënyrë ilegale, ata kaluan nga Dibra, ku morën kontakt dhe me Haxhi Lleshin, e së bashku me të erdhën në Tiranë, ku Gjinishi hyri menjëherë në lidhje me Myslym Pezën, mikun më të ngushtë të babait të tij Ademit.
Po kush ishte Mustafa Gjinishi dhe cila ishte e kaluara e tij që nga koha kur i’u vra babai, (kandidati për deputet i Parlamentit Shqiptar si mbështetësi i Fan Nolit) dhe jeta e tij në emigacion në Jugosllavi, si përkthyes pranë ambasadës Britanike në Beograd? Përse Britanikët e ndihmuan Gjinishin që të kthehej në Shqipëri bashkë me Abaz Kupin dhe majorin anglez Crissp? Çfarë raportesh kishte ai me Enver Hoxhën dhe antarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, e cilat ishin arsyet që e detyruan Enver Hoxhën të vendoste për eleminimin fizik të Gjinisht dhe në çfar rrethanash u krye vrasja e tij?
Kujtimet e Enverit për ardhjen e Gjinishit në Shqipëri
Lidhur me ardhjen e Gjinishit në Shqipëri, Enver Hoxha në kujtimet e tija të botuara në fillimin e viteve ’80-të, midis të tjerash ka shkruar: “Gjinishi ishte një njeri i zgjuar, dinamik, aktiv, por mendjemadh, i mbyllur ndaj nesh dhe jo i sinqertë. Fliste me gjeste si për të krijuar autoritet. Donte të tregonte se kishte lidhje dhe influencë të madhe tek Myslym Peza, si dhe në shumë rrethe ‘nacionalistësh’ antifashistë, e linte të kuptohej se në këto rrethana, i dëgjohej shumë fjala dhe këshillat e tij. Nuk na thoshte asgjë konkrtete. Më vonë zbuluam se ku ishin ‘bazat’ dhe ‘mbështetjet e tij’. Gjoja ilegal, ai bridhte anembanë Tiranës me syze të zeza, me rroba blu, herë me borsalinë, herë me qillota dhe herë me kasketë, veshur me kapardinë të bardhë dhe mbante një çantë të zezë në dorë, ku kishte letra, një ‘dhjetëshe’ turqie dhe dy bomba jugosllave. Njerzit tanë na raportonin se ai shkonte dhe takohej me Irfan Ohrin, Mit’hat Frashërin, Sheh Karbunarën, Kamber Qafmollën e Abaz Kupin e të tjerë. Se ç`bisedonte ai me ata, pak gjëra konkrete na thoshte”, kujton Enveri ardhjen e Gjinishit në Tiranë, të cilin ai do ta kishte më pas një nga bashkpunëtorët më të ngushtë.
Me Enverin në Pezë dhe Labinot
Pas kthimit nga Jugosllavia, Gjinishi së bashku me Koço Tashkon u caktuan nga Komiteti Qëndror i PKSH-së që të punonin me nacionalistët dhe të bënin propagandë për t`i afruar ata në Frontin Nacionalçlirimtar që kryesohej e udhëhiqej nga Partia Komuniste. Lidhur me këtë, Enver Hoxha në kujtimet e tija midis të tjerash ka shkruar: “Komiteti Qëndror ngarkoi Koço Tashkon, Mustafa Gjinishin dhe Anasatas Lulën të cilët do të bënin punën e partisë me nacionalistët. Anastas Lula e kishte mëndjen jo të rriste influencën e partisë, por ta minonte atë dhe të krijonte fraksionin e vet me Sadik Premten. Koço Tashkoja, me pleqtë e tij mbyllej nëpër kafenera e bënte me ta ‘politikë të madhe’, kurse Mustafa Gjinishi, ishte më aktiv, por në kontaktet e lidhjet e tija kishte gjithnjë gjëra të dyshimta dhe mistere”. (Enver Hoxha. “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” fq. 69) Gjinishi së bashku me Koço Tashkon, që përpara Konferencës së Pezës, kishin hartuar një plaformë ku kërkonin që Partia Komuniste të thërriste dhe të afronte në radhët e Frontit të gjithë nacionalistët dhe antifashistët që kishin dhënë prova se ishin për luftë kundër italianëve. Përveç emrave të njohur si Muharrem Bajraktari, e Abaz Kupi, ata kërkonin që në rradhët e Frontit, të afroheshin edhe një pjesë e Klerit Katolik të Veriut të cilët kishin kundërshtuar agresionin italian ndaj Shqipërisë dhe ishin në pozita antifashiste, si dhe Mehdi Frshërin që kishte qenë i internuar nga italianët.
Për ardhjen e Abaz Kupit në Konferencën e Pezës, Enver Hoxha pyeti Gjinishin nëse po t`i bëhej ftesë, a do të vinte ai aty. Gjinishi i’u zotua Enverit se do ta rregullonte ai atë gjë. Enveri e porosti Gjinishin, që ai të bisedonte me Abaz Kupin por të mos i lutej shumë, duke u shprehur: “Në dashtë të vijë, në mos dashtë, udha e mbarë”. (Gjinishi me Tashkon e shihnin si një gabim të madh qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj nacionalistëve dhe për këto pak ditë pas asaj Konference, Koço Tashko, i bëri një letër të gjatë Kominternit, ku ai denoncoi politikën e PKSH-së dhe personalisht të Enver Hoxhës). Në Konferencën e Pezës, ku Gjinishi ishte një nga inicuesit kryesorë të saj, së bashku me Koço Tashkon, ai mori pjesë në delegacionin e Partisë Komuniste, që përbëhej nga: Enver Hoxha, Dr. Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku dhe Koço Tashko. Në këtë mbledhje, Mustafa Gjinishi, së bashku me Enverin dhe Dr. Dishnicën, u zgjodhën në Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar, që përbëhej prej shtatë vetash. Gjinishit në atë mbledhje i’u caktua që të kishte në patronazh Shqipërinë e Mesme, për të punuar me nacionalistët dhe t`ju dërgonte atyre mesazhet e asaj Konference. Më pas Gjinishi u zgjodh dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, (mbledhja e së cilës u mbajt në Labinot, më 10 korrik 1943), së bashke me: Enver Hoxhën, Mojsiun, Kupin, Pezën, Lleshin, Çitakun, Dishnicën, Spahiun, Baba Fajën, Ndreun dhe Malëshovën.
Sekretar i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar në Mukje
I ngarkuar nga Komiteti Qëndror i PKSH-së, me detyrën e përfshirjes së nacionalistëve në rradhët e Frontit, Mustafa Gjinishi, pasi kishte biseduar më parë me Hasan Dostin, e bisedoi atë gjë dhe me Abaz Kupin, e të dy hartuan një mesazh (të cilën e firmosën dhe Myslym Peza me Dr.Ymer Dishnicën), ku ata i ftonin krerët e Ballit Kombëtar për bisedime. Këtë mesazh ata i’a dërguan më pas krerëve të Ballit, për të shikuar mundësinë e një mbledhjeje të përbashkët midis tyre, të cilën ata e pranuan dhe u mblodhën më pas në atë që tashmë njihet në histori si ‘Konferenca e Mukjes’. Mustafa Gjinishi ishte një nga 12 pjesmarrësit e delegacionit të PKSH-së që u përfaqësua në atë Konference ku dhe u zgjodh si sekretar i mbledhjes, që u drejtua nga Thoma Orollogai dhe më pas edhe Sekretar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, me kryetar Hasan Dostin. Siç dihet kjo marrveshje u denoncua më pas nga Enveri dhe Gjinishi e Dr. Dishnica, do të kishin konseguenca të njëpasnjëshme lidhur me atë marrëveshje.
Gjinishi: “Nuk dihet fati im pas denoncimit të Mukjes”?!
Aty nga vjeshta e vitit 1943, Hasan Dosti, njëri nga eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar, thirri në një takim në shtëpinë e tij tek “Moskatet”, mikun e tij Gjinishin, për të biseduar rreth parandalimit të gjakderdhjes që kishte filluar mes komunistëve dhe Ballit. Këtë takim e konfirmon dhe Viktor Dosti (djali i madh i Hasanit,) i cili ka qenë prezent në bisedën që babai i tij zhvilloi me Gjinishin. Lidhur me këtë, Viktori kujtonte: “Mustafai kishte ardhur edhe herë të tjera në shtëpinë tonë bashkë me Nako Spiron, sepse ai ishte mik i ngushtë i babait. Më kujtohet se atë ditë, ai ishte shumë i shqetësuar dhe kur erdhi në shtëpi, kishte me vete një çantë me bomba. Gjatë bisedës, ndërmjet të tjerash babai e pyeti Gjinishin se: kush do ta fitonte luftën dhe Gjinishi i’u përgjigj: ‘Po të bashkohemi ne të Nacionalçlirimtares me ju të Ballit, do të fitojë Shqipëria’. Ndërkaq babai e vazhdoi bisedën duke i thënë Gjinishit: ‘Po të mos bashkohemi, do të fitoni ju, sepse ju e dini dobësinë tonë, që ne nuk mund t`ju konsiderojmë armiq dhe t`ju luftojmë ashtu siç na luftoni ju’. Pas kësaj, Gjinishi vazhdoi: ‘Po fituat ju, unë jam i sigurtë se nuk do të më hyjë gjëmb në këmbë. Përndryshe s`dihet se si do të vejë fati yt dhe i imi bashkë’. Pas këtyre fjalëve Gjinishi u ngrit dhe u largua nga shtëpia jonë për të mos u takur më kurrë me babanë tonë Hasanin, që e donte dhe e respektone shumë”, kujtonte Viktor Dosti, lidhur me atë takim ku Gjinishi i shprehu Dostit pasigurinë që e priste në rast se Lufta do të fitohej nga partizanët e Enver Hoxhës!
Dyshimet e Enverit për Gjinishin!
Xhelozia e madhe që kishte Enveri ndaj Mustafa Gjinishit, duket se do të shtohej akoma edhe më shumë në pranverën e ’43-it, kur pranë udhëheqjes së lartë partizane të Enver Hoxhës, erdhën dhe u atashuan misionet britanike. Kjo gjë, duket qartë në kujtimet e tij ku, Enveri mes të tjerash shprehet: “Me ardhjen e misionit anglez, Gjinishi, na u kapërdis si maçoku ne thekër, megjithëse edhe ai edhe ata ruanin aparencat. Mustafa, ‘i gëzueshmi’, i ‘interesanti’ dhe ‘i sinqerti’ siç thoshin anglezët për të, kishte avantazhin se dinte anglisht dhe mund të fliste lirisht me ta, dhe mund të përkthente mbarë e prapë. Mundoheshim të bënim lidhjen mes disa takimeve të anglezëve me personalitete ‘nacionaliste’ dhe takimeve që pati bërë më parë Mustafa, me këta njerëz që tash ishin haptaz me Ballin, por megjithatë akoma nuk e kishim gjetur fillin e shtjellimit të këtij lëmshi”. Enveri i shpreh qartë dyshimet që ai kishte për Gjinishin, se mos ai ishte ‘agjent i anglezëve’! Lidhur me këtë, Enveri shkruan se në atë kohë, ai kapi një sinjal nga radioja britanike BBC, që i drejtohej “Tafarit”, i cili sipas tij, ishte pseudonimi i Gjinishit, gjë të cilën ja kishte konfirmuar dhe Mustafa Kaçaçi. Pas asaj Enveri thotë se, e thirri Gjinishin në Labinot dhe e detyroi që ai të tregonte se ishte agjent i anglezëve dhe ai e pranoi që ishte bashkpunëtor i anglezëve, për të mirën e Shqipërisë, por jo agjent i tyre dhe lidhjet me ta i kishte filluar që në Jugosllavi me nënkolonelin Oklai Hill, i cili e kishte nisur atë në Shqipëri bashkë me Abaz Kupin. Po kështu, Enveri dëshmon se pasi Gjinishi i tregoi të gjitha lidhjet dhe detyrat që i kishin dhënë anglezët, ai i ka kërkuar falje dhe i ka thënë se: “meritonte pushkatimin” duke i’a dorzuar dhe revolverin atij. “Pas disa orësh rrahje mendimesh në mes nesh, duke peshuar çdo gjë: rrethant e luftës, rrethin shoqëror dhe njohjet e Gjinishit, rrezikshmërinë e tij, veprimet e tija tradhëtare, karakterin fodull, bajraktar, pohimin e plotë të veprimtarisë, vendosëm të mos e dënonim me vdekje”, dëshmon Enveri, lidhur me vendimin për të mos e pushkatuar Gjinishin, pasi u mësua se ishte “agjent i anglezëve” dhe sipas tij, Gjinishi tha se do të mbeste besnik i Partisë,: “Por dhe në të ardhmen, ai su bë kurrë njeri i mirë, vazhdoi rrugën e tradhëtisë, ishte dhe mbeti agjent i anglezëve”, shkruan Enveri në kujtimet e tij. (“Rreziku anglo-amerikan” fq.202-203)./Memorie.al/