Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, “5 nga 12 godina te zona “5 maji” po kthehen në zyra luksi për “Hajdutët e Fatkeqësisë” në qeveri dhe bashki”.
“Tërmeti i 26 nëntorit na tregoi të gjithëve se kjo qeveri kishte vjedhur aq shumë, sa as ushqimet bazë nuk gjendeshin në depot e emergjencave civile. Vesi i përvetësimit të të mirave publike për interesa personale është frymëzimi dhe moto e kësaj qeverie dhe ky ves vjen e përforcohet edhe në kohë fatkeqësie”, u shpreh ajo.
“Fatkeqësisht edhe sot thuajse një vit pas tërmetit fatkeq që goditi vendin, të dhëna tronditëse dalin në pah”, theksoi Tabaku.
“Fatkeqësia që goditi këtë zonë të Tiranës po përdoret nga qeveria qendrore dhe natyrisht ajo lokale për të gllabëruar pronën e qytetarëve në interesa personale dhe të jashtëligjshme të qeverisë. Më konkrektisht në zonën “5 Maji” do të ndërtohen 12 godina me vlerë 52 milion euro; godina të cilat duhet t’u përkisnin banorëve të dëmtuar nga tërmeti”, shtoi Tabaku.
Por, vijoi ajo, “nuk do të ndodhë aspak kështu, sepse fondet e rindërtimit, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për një qëllim tinëzar, i cili ushqen me luks pushtetarë dhe qeveritarë të paskrupuj”.
“Ne kemi faktuar më herët se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga tërmeti, do të zërë një nga godinat e reja në zonën e rindërtimit”, u shpreh Tabaku.
“Tatimet nuk janë institucioni i vetëm që do të uzurpojë hapësirën e re publike. Në këtë zonë, që duhet t’u përkiste qytetarëve, qeveria po nxjerr jashtë banorët për t’i dhënë vetes luksin që me paratë që duhet të shkojnë në ndihmë të ndërtimit të banesave të qytetarëve të përfitojë ajo për luksin personal”, tha ajo.
Ajo nënvizoi se, “ky është një akt i paligjshëm, në kurriz të interesit publik. Pse duhet që qeveria dhe bashkia të uzurpojnë hapësirat që u takojnë qytetarëve, kur zyrat i kanë që tani shumë të rehatshme? A duan të lirojnë godinat në qendër të Tiranës për ta dhënë truallin për ndërtim kullash të tjera dhe pastrim parash?”.