Para 20 vitesh, në vitin 1999, një 21-vjeçare e quajtur Claire McFarlane, u tërhoq zvarrë në një rrugicë të Parisit pranë lokalit ku punonte. Ajo u dhunua seksualisht, u rrah dhe u plagos me thikë. U la në rrugicë, pasi sulmuesi mendoi se ajo kishte vdekur.
Por, ajo mbijetoi dhe nga ajo natë nisi luftën me paragjykimet, komplekset dhe drejtësinë franceze për të sjellë para drejtësisë atë që i shkaktoi vuajtje atë natë.
Përdhunuesi u kap vetëm 10 vite pas ngjarjes përmes ADN-së duke hapur rrugë seancave nëpër gjykata, një proces që në total zgjati 16 vite dhe përfundoi në muajin tetor të vitit 2015.
Claire vendosi t’i tregojë botës se çfarë kishte ngjarë vetëm në 2014 dhe një vit më vonë edhe kur mori fund saga me drejtësinë, ajo vendosi të ndërmarrë një nisme sociale me qëllimin për të luftuar kundër dhunës seksuale në mënyrë paqësore.
Në të vërtetë, ngriti një lëvizje të quajtur “Movement to Inspire”, një lëvizje botërore sportive që bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, ndërsa nisma për të vrapuar quhet “Footsteps to Inspire”.
Ajo vrapon 16 kilometra në plazh, aq sa mori kohë që drejtësia e vihet në vend. Qëllimi i këtij aktiviteti është diskutimi me ata që e shoqërojnë për dhunën seksuale.
20 vite pas ngjarjes së asaj nate, McFarlane e bëri Kosovën vendin e saj të 48 në të cilin vrapon për t’i thënë stop dhunës seksuale, duke dituar se në të njëjtin vit shume gra kosovare kishin përjetuar trauma të njëjta gjatë luftës që u zhvillua në Kosovë.
Edhe pse Kosova nuk ka plazh, Claire vrapoi buzë lumit Lumbardh në Prizren. Ajo pranon se është shumë e vështirë të flasësh për këtë çështje dhe duhet një kurajë e madhe.
“Të flasësh për dhunën seksuale dhe përdhunimin është shumë e vështirë dhe e rëndë për njerëzit. Duke vrapuar është një mënyrë paqësore për të biseduar lidhur me këtë çështje në një vend të sigurt, por nuk është se kemi nevojë të flasim shumë, thjesht të jemi bashkë në shenjë solidariteti”, deklaroi ajo.
McFarlane është njohur me historinë e dhimbshme të luftës në Kosovë dhe se shumë femra kanë përjetuar vuajtjet dhe traumën e dhunës seksuale. Australiania ka inkurajuar gratë kosovare që të flasin hapur për dhimbjet e tyre.
Për shoqërinë dhe shtetin, pati kërkesë që të mbështesë të gjithë viktimat e dhunës seksuale, pasi ajo tha se në Kosovë mungojnë shërbimet për këtë kategori personash.
“Mendoj se duhet të flasim më shumë për këtë çështje dhe të mos ndihemi të turpëruar. Gjithashtu prej asaj çfarë kam mësuar, viktimat në Kosovë nuk kanë shumë shërbime të disponueshme dhe nëse dikush pëson dhunë seksuale sot nuk mund të marrë shumë ndihmë. Rekomandimi im është që të t’ju drejtoheni dhe të flisni me organizatat dhe të gjeni mënyrën se si mund t’ju ndihmojnë dhe shtetit që të përmirësojë këto shërbime”, deklaroi ajo.