Qeveria e Holandës pritet ta vendosë orën policore për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore në përpjekje për ta kufizuar përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit.
Sipas rregullave të reja, nga 22 janari, vetëm njerëzit me nevoja të rëndësishme do të kenë të drejtë të dalin nga shtëpia apo banesa prej orës 8 e 30 të mbrëmjes deri në orën 4 e 30 të mëngjesit që nga e premtja, raportoi televizioni RTL, duke cituar burime të qeverisë.
Shkollat dhe dyqanet e produkteve joesenciale janë mbyllur nga mesi i dhjetorit, pas mbylljes së bareve dhe restoranteve dy muaj më parë, shkruan Reuters.
Kryeministri në detyrë, Mark Rutte, tha javën e kaluar se këto masa izoluese do të mbeten në fuqi së paku deri më 9 shkurt.
Vendosja e orës policore të natës për herë të parë që nga koha kur pushtuesit gjermanë ua kishin kufizuar lirinë e lëvizjes holandezëve në Luftën e Dytë Botërore ka shkaktuar shumë pakënaqësi. Disa parti politike kanë thënë se kurrë nuk do ta përkrahin këtë masë.
Pas përfundimit të diskutimeve rreth masave të reja, qeveria do t’i dërgojë vendimet në kuvend për t’u debatuar nga ligjvënësit. Seanca pritet të fillojë rreth orës 15. Megjithatë, ora policore mund të vendoset edhe pa përkrahjen e partive të opozitës.