Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe që i përkasin vitit vitit 1982, ku ndodhen disa informacione të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Vangjel Çerrava, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, Enver Halili etj., dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e komiteteve të Partisë së Pogradecit dhe Korçës, Degëve të Punëve të Brendëshme të këtyre rretheve etj., ku ata kishin marrë pjesë si të deleguar të Komitetit Qëndror. Çfarë u diskutua në ato mbledhje ku u analizua letra e Enver Hoxhës lidhur me “Tablonë sinoptike”, për “armiqtë e tradhëtarët, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj.”
Vetëm pak javë pas ngjarje së 18 dhjetorit të largët vitit 1981,kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 40 vitesh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vëndin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej; “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi ‘Tablonë Sinoptike’ për armikun e poliagjentin Mehmet Shehu”?! Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentash me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj., etj.
Po kështu, këto mbledhje u intesifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tre dekada me rradhë kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, redaksia e Memorie.al, disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qëndror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., informojnë Komitetin Qëndror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty. Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qëndror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendëshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe.
Nga kjo dosje voluminoze, në numrin e kaluar publikuam raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qëndror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25-28 shtator të vitit 1982. Ndërsa duke filluar nga sot, po publikojmë të plotë raport-informacionin e ish-sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, mbi “aktivitetin armiqësor të grupit të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj.”, të cila ai i ka nxjerrë nga mbledhjet e zhvilluara në Degën e Punëve të Brendëshme të Korçës si dhe në Prokurorinë e Gjykatën e atij rrethi. Keto dokumenta, sipas rregullit i ka lexuar të gjitha Enver Hoxha, por nuk janë te firmosuar prej tij dhe nuk ka as ndonjë shënim, siç ka vepruar me te gjitha dokumentat e tjera ndër vite, gjë e cila nga disa burime të besueshme, thuhet se Enverit, i’a kanë lexuar ato, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.
Raporti sekret i Enver Halilit, për Enver Hoxhën dhe Komitetin Qëndror të PPSH-së
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Tepër sekret
KOMITETI I PARTISE RRETHIT
K o r ç ë Korçë, më 28.10.1982
I N F O R M A C I O N
Për
DISA PROBLEME QE DUALLEN NGA DISKUTIMI I KONKULZIONEVE TE
BYROSE POLITIKE DHE TE PLENIUMIT TE 5-të TË KQ TE PARTISE
NE ORGANIZATAT BAZE TE PARTISE TE DEGES SE PUNEVE TE
BRENDESHME DHE TE PROKURORI-GJYKATES
Për Feçor Shehun:
-Në vitin 1979 në Lezhë ka dalë një e dhënë se në zonën e gjuetisë do të vinin diversantë, ai i ka thënë kryetarit të kësaj Dege se: “Në Lezhë nuk ka pasur banda as atëhere kur ata vinin me shumicë”.
-Me veprimet që ka kryer në vitin 1954 në drejtim të bandës së Reshat Qemalit, duke mos vlerësuar të dhënat, për ardhjen e saj, e duke marrë masa të dobëta u vranë katër shokë.
Për Mihallaq Ziçishtin:
Së bashku me Mehmet Shehun kanë kthyer 2-3 herë goditjen e Tefik Cangoit, i cili pas arrestimit u deshifrua agjent i zbulimit grek.
Nuk i ka shkuar deri në fund procesit të Braçanit në vitin 1959-1960, i cili ishte në shërbim të zbulimit grek.
Ka shkelur rregullat e regjimit kufitar duke gjuajtur në brez e zonë kufitare, bile me armë luftarake.
Ka vajtur për darka dhe dreka në persona me biografi të keqe, si në zonën e Lozhanit e gjetkë.
Për Gjykatën e Lartë, e cila mban përgjegjësi edhe për gjykimin e puçistëve si për studimin e dosjeve së tyre ashtu edhe për gjykimin e çështjes.
Për Prokurorin e Përgjithshëm i cili duhet të ishte më parimor dhe më barrikadë, sepse në shumë raste ato janë pronocuar me mendimet e Ministrisë së Punëve të Brendëshme.
Për Bajram Nelin:
Ka ardhur dhe ka qëndruar 3-4 ditë në qytetin e Korçës me makinë në dispozicion në një familje me qëndrim jo të mirë moral, kryefamiljari i së cilës tani është në burg.
Për Merdar Hasa, kryetar Dege në Gjirokastër. Ka pasur shoqëri të sëmurë me Feçor Shehun e Bato Karafilin, vriste derra dhe ua çonte në shtëpi atyre. Ishte arrogant dhe prepotent deri edhe në organizatën bazë të partisë.
Veç sa thamë më sipër, komunistët ngritën edhe këto çështje:
Për Gani Kodrën kanë dalë të dhëna që më 1972, e implikojnë atë në kontrabandë me italianët. Kadri Hazbiu ka thënë: “e pamë, por duhet të bëjmë përjashtim”.
Më 1979 kishim të dhënë–vazhdon komunisti Bajram Sulejmani, për kulakët e Bregut të Matës, se janë lidhje e jugosllavëve, por Feçor Shehu na e hodhi poshtë dhe u mbyll kjo çështje.
Komunisti Kasëm Skëndo, shifrant në Degë, tha: “Në vitin 1977 jam thirrur nga Andon Deçka me porosi të Feçor Shehut dhe më është dhënë detyra të përpiloj një shifër të veçantë dyshe që nuk është përdorur deri më sot, të jetë e fortë, që mund të komunikojnë dy veta në gjuhën shqip, frengjisht, ose në një tjetër. Pasi e bëra dhe ata i vunë pseudonimin “Karadaku”, dhashë edhe shpjegimet, me urdhër të Feçor Shehut dhe të Bato Karafilit, mua më transferuan në Korçë në kundërshtim me vendimin e marrë më parë në Komitetin e Partisë së Ministrisë. Për këtë më tha: “Ka porositur shoku Hysni Kapo, se ti je kandidat partie”.
Kiço Ventiku, i dënuar më 1976 me 25 vjet burg për veprimtari armiqësore, ka thënë në dhomat e paraburgimit se: “Po të më jepet mundësia të takoj dhe të bisedoj me Mehmet Shehun, ai do të më kuptojë mua”.
Komunisti Bardhosh Mamçaj tha se: “Me urdhër të drejtuesve të Ministrisë, kemi përjashtuar agjenturën e përshtatshme dhe se ato kanë vënë rregull, ky është dhe sot që materialet për dyshim spiunazhi kur nuk sqarohet gjatë PP (përpunimit paraprak) që është tre muaj, të asgjesohen”.
Komunisti Nazmi Qerreti, tha se: “Feçor Shehu na ka urdhëruar të heqim nga plani i punës mujore, kapitullin për edukimin ideo-politik dhe detyrat që shtron Partia për ne”.
Komunisti Sotir Ndrio ka thanë: “Kur arrestuam Janaq Foton më 1969 në Kamenicë, ai na tha: Juve shikoni njerzit tuaj se nuk janë në në rregull, kur ne e informuam në Ministri ata e morrën dhe e hetuan atje”.
PROKURORI – GJYKATE
Në Prokurori Gjykatë dollën këto problem. Kontrolli i Prokurorit ndaj organeve të hetimit nuk i është përgjigjur në të gjitha rastet detyrave të ngarkuara nga Partia si kontroll i ligjishmërisë. Ka pasur raste që nga shokët që punojnë në sektorin e Kontrollit dhe Hetimit gjatë kontrollit të dhomave të izolimit në disa raste janë konstatuar persona të futur në to dhe nuk është lejuar të kontrollohet nga prokurori, me arsyetimin se ky i burgosur është sekret.
Në këto raste nga ana e prokurorit nuk është insistuar për të parë se ky i paraburgosur është futur ose jo në dhomat e izolimit brenda rregullave ligjore, por është besuar në thëniet e punonjësve të Degës së Punëve të Brendëshme.
Kështu është rasti në vitin 1975 kur u arrestua Pirro Naçi për shkruarjen e parrullave armiqësore, prokurori nuk morri kontakt me të, mbasi nga ana e ish-zv/drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Lirim Pëllumbi, u çua për hetim në Pogradec dhe prej andej e kthyen përsëri në Korçë, por prokurorit j’u ndalua takimi me të dhe me disa të tjerë.
Më shumë duhej të kërkohej nga prokurori për verifikimin e pretendimeve të të pandehurve dhe të mos kalohej me shpresë se ky “është armik”, pasi nga verifikimi i plotë që u është bërë thënieve të pandehurve në ndonjë rast, nuk ka pasur veprimtari armiqësore për të cilën akuzohej, ndërsa akuza mbështetej në trillime e punëtorit operativ dhe bashkëpunëtorit që e kishte.
Kështu në rastin e Koço Dishnicës, i cili fillimisht është marrë në arrest për luajtje bixhozi, përfundimisht do të akuzohej për agjitacion e propagandë armiqësore. Nga dëgjimi me kujdes i pretendimeve të të pandehurve, rezultoi se provat ishin të krijuara dhe jo të dëgjuara siç pasqyroheshin në materialet e çështjes hetimore, përfundimisht i pandehuri u dërgua në gjyq vetëm me kundravajtjen e bixhozit.
Zvarritjet e çështjeve kanë ardhur edhe si rezultat i praktikës së gabuar që për çdo veprim që ka të bëjë me provën e çështjes sidomos te krimet kundër shtetit, bën vetëm pas bisedës me kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme. Kështu megjithëse hetuesi i ka mbaruar hetimet, çështja mbahet me arsyetimin se do të analizohet nga Kryetari i Degës, i cili urdhëron mbylljen ose vazhdimin e hetimeve. Në këto raste kontrolli i prokurorit nuk ka qenë në shkallën e duhur dhe është pajtuar me këto zvarritje dhe shpesh ka miratuar edhe zgjatjen e afatit për vazhdimin e hetimeve, ndërsa dosja në gjyq ka vajtur me provat e marra që në fillim të hetimeve.
Në ndonjë çështje për krime kundër shtetit, agjitacion e propagandë, ka pasur dëshmitarë të njëjtë, me personalitet jo të mirë, që më vonë janë dënuar për agjitacion e propagandë siç është rasti i Arqile Kitës, këto veprime duhet të kishin tërhequr vëmendjen e prokurorit dhe gjykatës.
Prokurorit i është kufizuar kontrolli ndaj dosjeve të gjykuara. Në kushtetutë prokurorit nuk i bëhet asnjëherë kufizimi në ushtrimin e kontrollit, ndërsa me orientim të Gjykatës së Lartë, gjykatat e rretheve e kanë kufizuar këtë të drejtë brenda afateve të caktuara 5-10 ditë. Caktimi i këtyre afateve është një kufizim dhe pengesë që i bëhet prokurorit për të shtruar të drejtën e kontrollit, kur ta shohë të nevojëshme. Kjo çështje u është thënë shokëve të Prokurorisë së Përgjithëshme por nuk është gjetur zgjidhje.
U shpreh mendimi se sistemi i organizimit të ri gjyqësor (këshillat gjyqësore), i lë shteg subjektivizmit dhe nuk është objektiv në dhënien e drejtësisë. Këshillat gjyqësore që janë pranë gjykatës së rrethit të mos jenë të varura nga Kryetari i Gjykatës së rrethit, por të krijohen më vete. Gjithashtu për ngarkimin e gjykatës për çështje që i heton dhe i gjykon vetë, i lë akoma më shumë shteg subjektivizmit për shkak se gjyqtari që do fillojë një çështje dhe do të kryej veprime me të do të zgjidhë dhe masën e sigurimit, e cila është me pasoja për të pandehurin. Në këto raste gjyqtari është i investuar që të zgjidhë ashtu si e ka filluar dhe jo ndryshe.
U shfaq mendimi se organi i hetimit të jetë organ më vete, i shkëputur nga Ministria e Punëve të Brendëshme dhe drejtoria e Hetuesisë të varet direkt nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me qëllim që të ruhet sa më shumë objektiviteti në hetimin e çështjeve dhe të mos shpërndahet përgjegjësia.
Politika e dënimit në disa raste nuk ka qenë e drejtë, ka pasur çështje që mund të ishin pushuar pa u dërguar në gjyq. Po ashtu ka pasur çështje penale për krime kundër shtetit të cilat me gjithë insistimin e gjykatës se duhej të akuzoheshin edhe për tradhëti ndaj atdheut, janë sjellë në gjyq të akuzuar për agjitacion e propagandë, siç ishte çështja e Koço Dhimës. Gjithashtu në çështjen e Haxhi Baçit, Jorgo Llafazanit dhe Xhevat Zezos, hetimet janë bërë të cekta dhe në dosje nuk është pasqyruar veprimtaria e plotë agjenturore e tyre.
Në disa raste punonjësit e Degës së Punëve të Brendëshme nuk paraqiteshin në gjyq si dëshmitarë, ndonëse kanë qenë të tillë, me arsyetimin sipas orientimit të dhënë nga armiku Feçor Shehu dhe se duhet të ruhet personaliteti i tyre. Por kur është vënë në dijeni Komiteti i Partisë i rrethit nga gjykata, ky problem është zgjidhur drejt.
Punonjësit e organeve të hetimit ndruheshin shumë nga pafajësitë e dhëna nga gjykata për faktin se këto çështje bëheshin problem tek ministri dhe ai të bënte gjëmën. Këto kanë influencuar për punë negative të hetimit, i cili një pjesë të çështjeve i ka pushuar për mungesë provash, ose një pjesë i ka dërguar në gjyq vetëm me insistimin e prokurorit.
Në organet e hetimit disa kundra-vajtje penale janë ndjekur vetëm me një dëshmitar dhe janë deklaruar fajtorë, pasi nga shokët e hetuesisë nuk u është thënë se kanë prova të veçanta dhe gjyqtari Kiço Treska është pajtuar me to. Po ashtu janë bërë gjyqe për 2-3 çështje me dëshmitarë të njëjtë.
Shokët e Prokurorisë nuk duhet të pranonin disa veprime jo të drejta të Hetuesisë siç kanë qenë rastet për pushimin e çështjeve me subjekt persona të organeve të brendëshme (policisë) etj dhe nuk janë çuar në gjyq.
Në disa procese gjyqësore si dhe gjatë kontrollit të prokurorit shokët e prokurorisë e gjykatës nuk janë thelluar sa duhet për të nxjerrë problem që kanë të bëjnë edhe me veprimtari armiqësore. Nga hetimi i një çështje për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë ka dalë se është implikuar edhe Vat Kola, djali i shokut Marash Kola, i cili ka edhe sjellje dhe paraqitje jo korrekte për shoqërinë tonë. Marashi duhet të reflektojë për fajet e veprimet e gabuara të djalit të tij dhe megjithëse është këshilluar dhe kritikuar nga Komiteti i Partisë së rrethit dhe i Degës, si dhe nga organizata bazë e Partisë, ay mban përgjegjësi të rëndë.
Nga armiku Feçor Shehu iu është dhënë urdhëri organizatës së hetimit për mos procedimin e O… Q…, e motra e N… P…., e cila ishte bashkëpunëtore në një grup të organizuar për vjedhje të mëdha. Me kërkesën e prokurorit të rrethit në Komitetin e Partisë të rrethit dhe pranë Prokurorit të Përgjithshëm, ndaj saj u filluan hetimet dhe në gjëndje arresti edhe gjykata e deklaroi fajtor.
Duke e konsideruar diskutimin e bërë vetëm si fillim të punës së tyre, organizata-bazë e Partisë vunë si detyrë që të vazhdohet puna për të ndihmuar partinë në thellimin e kësaj veprimtarie armiqësore, duke nxjerrë nga fakte të veçanta konkluzione të drejta, të rritim prokupacionin për edukimin ideo-politik me materialet e Partisë e mësimet e shokut Enver për të likuiduar pasojat e kësaj veprimtarie në organin e punëve të brendëshme, gjykatë dhe prokurori, duke rritur më tej forcën zbuluese dhe vigjëlencën revolucionare.
Këto ishin në mënyrë të përmbledhur çështjet që u ngritën në Komitet dhe organizatat bazë të partisë në Degën e Punëve të Brendëshme si dhe Prokurori-Gjykatë.
Të gjitha mbledhjet u ndoqën nga të deleguarit e Komitetit të Partisë të rrethit, shokë të Byrosë dhe sekretariatit të Komitetit të Partisë së rrethit./Memorie.al/