Ballkani i Hapur një iniciativë që siguron pushtetin e autokratëve në Ballkan

 5,869 total views,  4 views today

Nga Agim Nesho

Bashkimi Europian tashmë e ka marrë vendimin gjeopolitik për Ballkanin Perëndimor që të jetë pjesë integrale e tij. Europa e Bashkuar nuk mund të rrezikonte që një rajon i rëndësishëm të bëhej pjesë e ambicieve dhe influencave të fuqive të tjera jo-europiane, të cilat duan të rrisin influencat e tyre dhe ta përdorin këtë rajon si një nyje ekonomike, një rajon ku mund të përcaktohen interesat dhe të zgjidhen dhe ofrohen kompromiset politike.

Samiti BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë ishte edhe akti që përcaktonte proceset integruese të Ballkanit Perëndimor drejt Europës. Ballkani i Hapur e mbaroi misionin e tij ose BE e kishte refuzuar si alternativë.

Partia e Lirisë mendon se lidhjet e protagonistëve të Ballkanit të Hapur duket se kanë qenë më të thella. Kryeministrja e Serbisë deklaroi se Serbia do të vazhdojë të punojë për projektin e Ballkanit të Hapur dhe realizimin e objektivave të tij. Dhe është e arsyeshme sepse Serbia kërkon dominimin e saj ballkanik ndaj vendeve të tjera, si dhe kushtet e saj për bashkëpunimin ballkanik ku del hapur anashkalimi i Kosovës (mos njohja e saj) si dhe rikthimi i hapësirave të vjetra jugosllave, tashmë plus Shqipërinë.

Shqipëria është vendi i dytë që vazhdon me retorikën që ‘Ballkani i Hapur ishte lokomotiva që realizoi Procesin e Berlinit dhe krijoi kushtet për bashkëpunim të rajonit’. Sipas logjikës së Tiranës zyrtare ishte presioni dhe arritjet e Ballkanit të Hapur që çuan BE drejt Procesit të Berlinit. Në fakt ky projekt që me këmbëngulje po mbahet i hapur nga Rama-Vuçiç është një alternativë jo-europiane që ju krijon komfort pushteti autokratëve të Ballkanit.

Ajo është një iniciativë alternative që liderët autokratë të Ballkanit presin në qoftë se rendi botëror pëson ndryshime nga rrymat nacionaliste. Ajo është një alternativë që njeh interesat e Rusisë, Kinës, Turqisë njësoj me interesat e perëndimit.

Mbajtja në këmbë e Ballkanit të Hapur nuk është vetëm një kokëfortësi për të justifikuar dështimin dhe qëndrimin kundër interesave kombëtare, duke dalë kundër Kosovës dhe ju bashkuar Serbisë. Këmbëngulja tregon se interesat e shumë vendeve dhe organizatave janë të lidhura me një projekt jo-europian për një zgjidhje të re gjeopolitike për Ballkanin Perëndimor.

Partia e Lirisë mendon se vendi ynë nuk fiton asgjë nga Ballkani i Hapur, por vonohet perspektiva europiane e Shqipërisë. Qeveria nuk mund të vazhdojë lojërat e saj pa princip për të devijuar të ardhmen perëndimore të Shqipërisë.