Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi takime me sipërmarrës të biznesit të vogël. Gjatë takimit me kryetarin Basha sot një nga sipërmarrësit i tha se për shkak të krizës së rëndë ekonomike nuk paguan dot as kredinë.
Artan Murati, pronar i një biznesi familjar u shpreh se xhiroja ditore ka rënë në një minimum ekstrem.
“Xhiroja e ditës së sotme ishte vetëm 5 mijë lekë të vjetra”, tha ai.
Kryetari i opozitës, Basha i tha sipërmarrësve se, “kjo duhet të ishte periudha kur qeveria duhej ta ndihmonte biznesin shqiptar, ashtu siç qeveria e Kosovës apo qeveritë e tjera të rajonit ndihmuan bizneset e vendit të tyre”.
Kreu demokrat premtoi se, “qeveria e dalë nga 25 prilli do t’i japë fund kësaj neglizhence dhe shpërdorimi kriminal të resurseve shtetërore, nëpërmjet një plani për ta ndihmuar ekonominë duke filluar me njerëzit e thjeshtë që kanë mbetur pa asnjë të ardhur, atyre që kanë humbur vendet e punës, ndihmë për njerëzit e thjeshtë, ndihmë për biznesin duke filluar nga biznesi i vogël, ndihmë për të gjithë ata që sot kanë nevojë më shumë se kurrë që shteti, paratë e taksave t’i çojë për të ndihmuar ata”.
Më pas me anë të një postimi Basha tha se, “ndërkohë që Rama shpenzon të gjithë kohën duke cicëruar gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë po falimenton”.
“Të dhënat krahasimore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se Shqipëria është ekonomia më e nënfinancuar e Ballkanit Perëndimor. Për 7 vite rresht Rama e ka shkatërruar ekonominë. Mijëra dyqane dhe njësi shërbimi si biznesi i Artan Muratit po vuajnë rënien e fortë të xhiros. Bizneset e vogla po marrin kredi për të mbaJtur hapur derën. Prej muajsh nuk nxjerrin asnjë fitim. Vendet e punës i kanë shkurtuar. Komunitetet rreth tyre janë varfëruar më shumë”, tha Basha.
“Kanë pritur që qeveria t’i ndihmojë një herë të vetme, siç kanë paguar taksat rregullisht. Por Edi Rama nuk ka kohë për problemet e shqiptarëve që e nxjerrin vetë bukën e familjeve të tyre. Edi Rama nuk ka as para për bizneset që mbajnë me bukë familjet e komuniteteve të tyre. Sepse taksat që mbledh prej tyre, Edi Rama i ndan me miqtë e tij. Kjo është arsyeja pse Rama nuk u jep ndihmë financiare qytetarëve që po vuajnë nga kriza e COVID-it”, u shpreh Basha.
“Ne do ta ndryshojmë këtë gjendje. Ne do të kujdesemi për biznesin, do të kujdesemi për të vetëpunësuarit, do të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe do të japim ndihmë financiare për çdo qytetar. Ne do të sjellim shpresë për Shqipërinë”, theksoi Basha.