Bilanc i rëndë nga vapa në Britani, ekspertët llogarisin mbi 2.700 viktima

Share

Më shumë se 2.700 persona mund të kenë humbur jetën si pasojë e temperaturave ekstreme që goditën Mbretërinë e Bashkuar gjatë muajve maj dhe qershor, sipas vlerësimeve të ekspertëve nga Imperial College London, Met Office dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine.

Sipas studiuesve, shumica e viktimave mendohet të kenë ndodhur gjatë valës së të nxehtit në qershor, i cili u regjistrua si qershori më i nxehtë në historinë e Anglisë. Temperaturat arritën në 37.7 gradë Celsius në Lingwood të Norfolkut, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 35.6 gradësh të vendosur në vitin 1957.

Për shkak të kushteve ekstreme, autoritetet britanike shpallën një alarm të kuq për të nxehtin në disa zona të Anglisë dhe Uellsit, duke paralajmëruar se temperaturat përbënin rrezik serioz për jetën, edhe për personat e shëndetshëm.

Edhe muaji maj shënoi temperatura rekord, me 35.1 gradë Celsius të regjistruara në Kew Gardens më 26 maj, duke thyer rekordin kombëtar prej 32.8 gradësh që qëndronte që nga viti 1922.

Ekspertët shpjegojnë se të dyja valët e të nxehtit u shkaktuan nga fenomeni i njohur si “kupola e nxehtësisë” (heat dome), një zonë e presionit të lartë atmosferik që bllokon ajrin e nxehtë mbi një rajon për një periudhë të gjatë.

Sipas tyre, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor e kanë përkeqësuar këtë fenomen. Temperatura mesatare globale është rritur me rreth 1.4 gradë Celsius që nga periudha para-industriale, ndërsa kjo ka shtuar rreth 3 deri në 4 gradë Celsius në temperaturat maksimale të regjistruara gjatë muajve maj dhe qershor.

Netët tropikale, me temperatura të larta edhe gjatë orëve të errësirës, e rënduan më tej situatën, duke mos i dhënë organizmit mundësinë të rikuperohej nga nxehtësia.

Ekspertët theksojnë se shumë banesa në Britani nuk janë ndërtuar për t’i bërë ballë temperaturave kaq të larta, çka rrit rrezikun për popullsinë. Temperaturat ekstreme ushtrojnë presion të madh mbi organizmin, duke e detyruar zemrën të punojë më shumë për të ftohur trupin, veçanërisht kur personi është i dehidratuar.

Më të rrezikuarit janë foshnjat, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, ndërsa vapa mund të shkaktojë infarkte, goditje në tru dhe emergjenca të tjera kërcënuese për jetën.

Studiuesit e cilësojnë vapën ekstreme si një “vrasës të heshtur”, pasi simptomat e para shpesh janë të lehta dhe neglizhohen. Situata bëhet edhe më e rrezikshme kur temperaturat e larta shoqërohen me lagështi të madhe, pasi djersitja nuk arrin ta ftohë trupin në mënyrë efektive.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit