Të hënën në Bruksel u mbajt takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nga palët takimi u vlerësua një dështim, derisa ndërmjetësuesja – BE-ja, e përshkroi “përparim i vogël”, duke iu referuar pajtimit që takimi i radhës mes liderëve të mbahet në shtator.https://if-cdn.com/evCoaKm?v=1&app=1
Kryeministri Kurti në takim propozoi nënshkrimin e një marrëveshje, që ai e quajti Deklaratë të Paqes, por ajo u refuzua nga Serbia.
“Kjo dëshmon se Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje finale”, tha Kurti pas takimit.
Deklarata e paqes ka gjashtë nene, se si duhet të sillen dy vendet për të ardhur te paqja dhe stabiliteti i përhershëm.
Neni i parë ka të bëjë me mos-agresion, që do të thotë se palët përmbahen nga kërcënimet e përdorimi i forcës. Neni i dytë flet për respektim të kufijve, neni i tretë për reciprocitetin në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave,, neni i katërt për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, neni i pestë për mbështetje të ndërsjellë të procesit të integrimit evropian dhe neni i gjashtë flet për dispozitat përfundimtare.
Vuçiqi duke e komentuar këtë, tha se Kurti i propozoi diçka që do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës.
Vuçiqi nuk pranoi nga Kurti as tri librat që ia ofroi dhuratë, e ku flitet për krimet e gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve në 150 vjetët e fundit.