Një ditë më parë shumë persona në Kukës shkuan në spital pasi shfaqën shenja helmimi, ndërsa dyshimet ishin për ujin që kishin konsumuar.
Nderkohe policia e Kukësit ka bërë me dije se kanë nisur hetimet pas helmimit të disa qytetarëve nga uji i pijshëm në fshatin Shtiqen.
Shërbimet e Policisë kanë marrë kontakt me specialistët e ujësjellësit të cilët kishin dijeni për ndotjen, dhe më pas kanë shkuar në Spitalin Rajonal Kukës, ku kanë konstatuar një numër të lartë personash nga disa fshatra të Kukësit, që janë paraqitur me simptoma helmimi.
“Grupi hetimor i ngritur së bashku me specialistët e ISHSH Kukës, ka marrë mostra të ujit tek depoja qendore dhe në banesat e qytetarëve në të cilat ka patur ndotje uji, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të ndotjes.
Po punohet për të marrë deklarimet e mjekëve, të cilët nuk kanë njoftuar në organet e rendit, në lidhje me këtë situatë”, bën me dije policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ndotjes së ujit dhe vënien para përgjegjesisë ligjore të personave përgjegjës.
Numri më i lartë i pacientëve ishte nga fshatit Shtiqen, ku qytetarët shfaqën simptoma si diarre dhe shenja të tjera helmimi.
Ndërkohë, Drejtoria e Higjienës dhe ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në qarkun verilindor kanë ndërhyrë duke marrë masa, respektivisht me analizimin e mostrave të ujit dhe ndërprerjen e furnizimit në lagjen Mujë.
Për këtë situatë ka folur dhe kreu i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i cili ka kërkuar nga autoritetet spitalore që të presin përgjigjen e analizave përpara se të hedhin hipoteza sipas tij për burimin e sëmundjes.
Por në fjalën e tij, Gjici ka bërë një gafë, teksa është shprehur se lagjia Mujë, ku është shënuar problematika, nuk ka probleme me ujin e pijshëm, por ka ndodhur një përzierje e tij me ujin vaditës.
“Në fakt nuk është e vërtetë dhe po ju kujtoj se të gjithë ata, qoftë drejtues institucionesh, mjekë apo kushdo qofshin, apo rrjetet sociale, ose këta që bëjnë politika të mëdha në Kukës që janë dhe doktor, të abuzosh me një temë sensitive siç është uji i pijshëm, është e papranueshme. Ne e dimë që viroza e stinës s’është vetëm në Kukës, por ka edhe në Tiranë, raste të shtuara. Nuk ka lidhje fare me ujin e pijshëm. Një deklaratë që ka dhënë një mjek te spitali është keqkuptuar nga të gjithë ata që e kanë përdorur në rrjete sociale dhe politikisht. Patjetër që policia do bëjë hetimet e veta dhe do i marrë dhe analizat e ujit. Për lagjen Mujaa të cilën flisni ju, nuk është e vërtetë që ka problem me ujin e pijshëm, aty ka një problem që është përzier uji i pijshëm me ujin vaditës, duke ndërhyrë një nga banorët, që policia po heton atë rast. Po s’ka lidhje fare, uji është i pijshëm vetëm se është përzier me ujin vaditës. Na rezulton se uji i pijshëm është totalisht brenda normave dhe analizave. Drejtoria e Ujësjellësit është në krye të detyrës”,-thotë Gjici./ Opinion.al