Numri i personave të paraqitur me simptoma gripale pranë spitaleve
në disa rajone të Shqipërisë, është rritur gjatë ditëve të fundit.
Sipas mjekëve të Spitalit të Durrësit, është një fluks i shtuar për shkak të gripit stinor që qarkullon në të gjithë territorin e vendit, ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet me komplikacione, me të prekurit që janë shtruar në spital për mjekim më të specializuar.
Ndërkohë, vet pacientët dhe familjarët e tyre pretendojnë për një trajtim me më shumë medikamente pranë këtij spitali, për të mos qenë nevoja t’u drejtohen farmacive jashtë tij.
“Po, ka pasur raste të rënda, të cilat ne i kemi trajtuar në urgjencë, i kemi stabilizuar dhe pastaj janë hospitalizuar. Kryesisht janë pacientë me komplikacione të rrugëve të frymëmarrjes”, tha Gjergj Qerimi, mjek pranë Spitalit të Durrësit.
Sikur të mos mjaftonte fluksi i madh i pacientëve, në Spitalin e Vlorës mungon edhe energjia elektrike.
“Kam probleme me mushkëritë dhe nuk po më japin rrugëzgjidhje. Vij këtu dhe nuk ka drita”, thotë një qytetare nga Vlora.
“Gjendjet virale janë shtuar, vazhdojnë me temperaturë 39-40 gradë. Ka një fluks dhe vizitat mund të arrijnë edhe 100 në ditë”, shprehet Servet Bejkollari, mjek pranë Urgjencës së Vlorës.
Ndërsa në Urgjencën e Fierit, numri i vizitave kap një shifër rekord.
“200 raste për 24 orë, pjesa më e madhe e të cilëve janë me temperaturë. Ajo që kërkojmë është të sensibilizojmë njerëzit që të shkojnë te mjeku i familjes”, tha Blendi Dhespollari, mjek pranë Urgjencës së Fierit./Top Channel/