Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss mbrojti qasjen e Londrës në marrëveshjen e mbrojtjes së nënëshkruar me Uashingtonin dhe Kanberrën, AUKUS, që shkaktoi zemëratën e Parisit pasi Australia anuloi megakontratën e përbashkët për nëndetëset.
“Kjo marrëveshje tregon gatishmërinë e Britanisë së Madhe për të qenë të vendosur në mbrojtjen e interesave tona dhe angazhimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit Indo-Paqësor”, shkroi kreu i diplomacisë britanike në një deklaratë, e publikuar sot në “The Telegraph”.
SHBA-ja, Australia dhe BM njoftuan të mërkurën një partneritet strategjik për të kundërshtuar Kinën, AUKUS, përfshirë furnizimin e nëndetëseve amerikane në Kanberra.
Vendimi i Australisë për të anuluar kontratën për blerjen e nëndetëseve franceze, me fuqi konvencionale me vlerë 56 miliardë euro, në favor të anijeve amerikane me energji bërthamore, ka shkaktuar zemërim në Paris.
Presidenti Emmanuel Macron tërhoqi për konsultim ambasadorët francezë në Kanberra dhe Uashington, në një gjest të paparë.
Duke folur në kanalin televiziv “France 2”, dje, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian foli për një “krizë serioze” dhe denoncoi një “pabesi” nga Kanberra dhe Uashingtoni.