Londra ka zgjeruar ndjeshëm sot perimetrin ku automjetet më të vjetra dhe ndotëse duhet të paguajnë një taksë për të qarkulluar, një hap i synuar për të luftuar kundër ndotjes së ajrit.
E kufizuar deri më tani në Londrën qendrore, që nga prezantimi i saj në prill 2019, zona ULEZ (zona me emetim ultra të ulët) tani është 18 herë më e madhe.
Deri më tani ajo korrespondonte me atë të “pagesës së mbingarkesës”, një tarifë prej 15 stërlinash në ditë (17,70 euro), që aplikohet për të gjitha automjetet, me synimin për të reduktuar trafikun.
Sipas kryebashkiakut laburist të kryeqytetit britanik, Sadiq Khan, kjo shtrirje, që korrespondon me një popullsi prej katër milionë banorësh, do të lejojë që në vitin e parë të reduktohen emetimet e dyoksidit të karbonit me më shumë se 100 000 tonë, duke arritur në “tërheqjen e 60 000 automjeteve” nga qarkullim në kryeqytet.
Drejtuesit e makinave me benzinë të prodhuara në përgjithësi para vitit 2006 (standard Euro 4) dhe automjeteve me naftë të prodhuara përgjithësisht para vitit 2015 (standard Euro 6) do të duhet të paguajnë 12,50 paund (14,80 euro) në ditë për të hyrë në këtë zonë.
Kamionët dhe autobusët do të duhet të paguajnë 100 paund (116 euro) në ditë.
Taksitë janë të përjashtuara.
Masa zbatohet 24 orë në ditë dhe gjatë gjithë vitit, përveç datës 25 dhjetor.
Për shkelësit parashikohet një gjobë prej 160 stërlinash, që përgjysmohet, nëse paguhet brenda dy javësh.