Kampionia në fuqi e Evropës, Italia, dhe Portugalia e Cristiano Ronaldos mund të përballen për një vend në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Shorti i plejofit për kualifikim në Botëror nga zona evropiane u tërhoq të premten. Italia e Portugalia janë në një rrugë, përkatësisht në një grup. Kjo do të thotë se njëra prej dy kampioneve të fundit të Evropës do ta humbasë turneun e vitit të ardhshëm që mbahet në Katar.
Portugalia pati triumfuar në “Euro 2016”, kurse Italia në “Euro 2020”. Italia do të përballet me Maqedoninë e Veriut në shtëpi në gjysmëfinalen e rrugës C të plejofit dhe fituesi i këtij takimi do të luajë në finale kundër Portugalisë ose Turqisë, që do të përballen në gjysmëfinalen tjetër që zhvillohet në Lisbonë. Finalja do të luhet në Portugali apo Turqi, varësisht prej fituesit të gjysmëfinales.
Duelet gjysmëfinale do të zhvillohen më 24 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa finalet pesë ditë më vonë. Përfaqësuesja e Italisë dështoi të kualifikohej në Botërorin “Rusia 2018” – duke humbur në plejof nga Suedia – dhe i duhet të triumfojë në finale kundër Portugalisë apo Turqisë për të shmangur për herën e dytë rresht mospjesëmarrjen në ngjarjen më të madhe të futbollit. Portugalia është kualifikuar gjithmonë në Botëror gjatë karrierës së Ronaldos, i cili për herë të parë luajti në turneun e vitit 2006.
Italia dhe Portugalia përfunduan në pozitat e dyta të grupeve në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm. Italia përfundoi prapa Zvicrës, ndërsa Portugalia mbeti pas Serbisë.
Te Italia, që këtë vit e mposhti Anglinë në finalen e “Euro 2020” pas penalltive, po shpresojnë të shmangin një zhgënjim tjetër pas atij të vitit 2018. Ishte hera e parë që nga viti 1958 që Italia dështoi të paraqitej në Botëror. Ndërkohë, Portugalia ka dështuar vetëm në vitin 1998. Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, është shprehur optimist pas tërheqjes së shortit.
“Kemi mundur të kemi një short më të lehtë, kjo është e vërtetë. Është e vërtetë që si ne ashtu edhe Portugalia duhet ta mposhtin Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë për të arritur në finale. Është vetëm një ndeshje dhe shumë e vështirë. Mirëpo ne jemi optimistë. Në kualifikime kemi luajtur mirë dhe kemi merituar të përfundojmë të parët në grup, por ky është futbolli”, ka thënë Mancini. “Fillimisht do të duhet të bëjmë një ndeshje të madhe ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pastaj të shohim çfarë do të ndodhë në finale. Sipas të gjitha gjasave, në finale do të jemi me Portugalinë. Sigurisht se do të kishim pasur dëshirë ta evitonim njëri-tjetrin, por duhet të përgatitemi dhe të japim më të mirën nga vetja”.
Për dallim prej Mancinit, portugezi Fernando Santos nuk ka folur për finalen. Në fakt, Santos ka refuzuar të flasë për Italinë pasi ka thënë se fokusi i tij është te dueli me Turqinë. Trajneri portugez ka insistuar se Portugalia do të jetë në Katar vitin e ardhshëm.
“Po, jam plotësisht i bindur se Portugalia do të luajë në Botërorin e Katarit. Nuk besoj që ia vlen të flasë për Italinë. E them këtë, sepse duhet të fokusohemi ta mposhtim Turqinë dhe pastaj do të jemi në finale me Italinë apo Maqedoninë e Veriut. Gjëja e mirë është se dy ndeshjet mund t’i luajmë në shtëpi dhe do të evitojmë të gjitha problemet e udhëtimit”, është shprehur Santos. “Fillimisht do të kemi punë me Turqinë, ekip që luan me sistemin 4-3-3 dhe ka lojtarë shumë të mirë. Është një ekip që u shkakton probleme të gjithë kundërshtarëve dhe për ne nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo, kam besim në lojtarët e mi”.
Në rrugën A të plejofit, rivalët britanikë, Uellsi dhe Skocia, mund të përballen në finalen që siguron pjesëmarrjen në Botëror. Përfaqësuesja e Skocisë do të luajë në shtëpi në gjysmëfinale ndaj Ukrainës, ndërsa Uellsi në ndeshjen tjetër e pret Austrinë. Nëse shkon në finale, edhe këtë ndeshje Uellsi do ta luajë në Cardiff. Uellsianët po shpresojnë të kualifikohen në Kampionatin Botëror për herë të parë në 64 vjet, ndërsa Skocia herën e fundit e paraqit në këtë ngjarje në vitin 1998.
“E kemi një mundësi shumë të mirë pasi herën e fundit jemi kualifikuar në Kampionatin Botëror në vitin 1958, po ashtu përmes plejofit. Jemi të motivuar. Kemi punuar shumë për të zënë atë vend të dytë në grup dhe kështu të jemi vendas në ndeshjen e parë. Kemi pasur fatin në short që nëse fitojmë gjysmëfinalen, të jemi vendas edhe në finale. Kështu që kemi pse të luajmë”, ka thënë përzgjedhësi i Uellsit, Robert Page.
Në rrugën B të plejofit për në Botëror, Rusia dhe Polonia do të jenë përballë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa në të dytën Suedia e pret Çekinë.
Rusia që në Botërorin e vitit 2018 arriti deri në çerekfinale, e ka humbur vetëm një ndeshje kualifikuese të këtij turneu në shtëpi dhe atë në vitin 2009 ndaj Gjermanisë. Nëse e mposht Poloninë, atëherë Rusia edhe finalen do ta luajë në shtëpi.
“Nëse e shikojmë shortin, atëherë nuk mund të them se është shumë i vështirë, pasi kemi mundur të kemi punë me skuadra edhe më të forta. Kemi shmangur si Italinë, ashtu edhe Portugalinë. Megjithatë, edhe kundër Çekisë do të jetë shumë vështirë, sepse çekët arritën deri në çerekfinale të Kampionatit Evropian. Fillimisht duhet ta kalojmë këtë pengesë dhe pastaj të mendojmë për finalen apo kundërshtarin tjetër”, ka pranuar mbrojtësi i Suedisë, Ludwig Augustinsson.