Një kolonizim ekonomik. Ose, me terma më pak teknike, një shitje totale. Nëse Ukraina do të pranonte kushtet e propozuara dhe marrëveshja do të firmosej, Kievi mund të detyrohej t’i dorëzonte Uashingtonit çelësat e sektorit të tij nxjerrës. Dhe jo vetëm atij.
Sepse në marrëveshjen që Donald Trump i ka propozuar Ukrainës për të vazhduar ta mbështesë ushtarakisht, nuk bëhet fjalë vetëm për mineralet e rralla: “500 miliardë dollarët” që manjati i ka kërkuar Volodymyr Zelenskyt përfshijnë edhe asete të tjera strategjike të rëndësishme, si portet dhe infrastruktura e naftës dhe gazit. Gjithçka e shkruar e bardha mbi të zezë në draftin e marrëveshjes paraprake të publikuar nga The Telegraph.
Në dokument, i shënuar si “Privileged & Confidential” dhe që mban datën 7 shkurt 2025, thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina duhet të krijojnë një fond të përbashkët investimesh për të siguruar që “palët armiqësore ndaj konfliktit të mos përfitojnë nga rindërtimi i Ukrainës”.
Por jashtë lojës nuk do të mbeteshin vetëm ato armiqësore: fondi, sipas dokumentit, “do të ketë të drejtën ekskluzive për të përcaktuar metodën, kriteret e përzgjedhjes, termat dhe kushtet” e të gjitha licencave dhe projekteve të ardhshme. Kjo do të thotë se Uashingtoni do të mund të vendosë me cilat vende Kievi do të mund ose nuk do të mund të bëjë biznes në të ardhmen.
Marrëveshja mbulon “vlerën ekonomike të lidhur me burimet e Ukrainës”, përfshirë “burimet minerare, naftën dhe gazin, portet, si dhe infrastruktura të tjera (sipas marrëveshjes)”, dhe “do të rregullohet nga legjislacioni i Nju Jorkut” – feudi politik dhe financiar i Donald Trumpit.
Uashingtoni do të ketë të drejtën për 50% të të ardhurave që Ukraina do të sigurojë nga nxjerrja e burimeve dhe 50% të vlerës financiare të “të gjitha licencave të reja të lëshuara për palë të treta”. Shteteve të Bashkuara do t’u garantohet “një privilegj mbi këto të ardhura”. “Një klauzolë që do të thotë ‘na paguani ne më parë dhe pastaj ushqeni fëmijët tuaj’,” ka komentuar një burim i afërt me negociatat për të përditshmen britanike.
Për të gjitha licencat e ardhshme, gjithashtu, “Shtetet e Bashkuara do të kenë një të drejtë përparësie për blerjen e mineraleve të eksportueshme”.
Këto kushte, të zbuluara në samitin e sigurisë në fundjavë në Mynih, i kanë vënë në pozitë të vështirë zyrtarët ukrainas, të cilët tashmë e kishin lexuar draftin.
Zyrtarisht, ata shfaqën besim se një marrëveshje mund të arrihet, por privatisht e kanë cilësuar atë ekonomikisht të paqëndrueshme dhe të nevojshëm rishikimin e saj.
Ishte Zelensky ai që u kishte propozuar për herë të parë Shteteve të Bashkuara “kushte të favorshme” për një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në nxjerrjen e mineraleve të çmuara në territorin ukrainas, gjatë një vizite në Trump Tower në shtator, me synimin për të garantuar furnizimin me armatime, edhe pas fitores së Trump-it. Ideja e liderit ukrainas ishte të tërhiqte kompani amerikane në territorin ukrainas, duke krijuar një lidhje politike dhe ekonomike me fuqinë më të madhe botërore, që do të dekurajonte Vladimir Putinin nga një sulm tjetër ndaj vendit.
Duke marrë parasysh që gjysma e baseneve minerare më të çmuara ndodhen pranë vijës së frontit në lindje ose në zonat e pushtuara nga Rusia, llogaritja e pazyrtarizuar e Zelenskyt ishte të siguronte që rezervat strategjike të titanit, tungstenit, uraniumit, grafitit dhe mineraleve të rralla të mos binin në duart e Moskës. Megjithatë, vështirë se ai mund të kishte parashikuar kushte kaq të rënda, të ngjashme me ato të imponuara ndaj shteteve agresore të mposhtura në luftë.
Trump kishte qenë i qartë për synimet e tij mbi pasuritë e Ukrainës. “Që nga fillimi i luftës, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit midis 300 dhe 350 miliardë dollarë ndihmë,” kishte thënë ai. “Unë u thashë atyre (ukrainasve) se dua ekuivalentin e 500 miliardë dollarëve në minerale të rralla,” deklaroi ai më 10 shkurt në Fox News, “dhe ata në thelb e kanë pranuar”. “Ata kanë toka me një vlerë të jashtëzakonshme për sa i përket mineraleve të rralla, naftës dhe gazit, si dhe për burime të tjera,” kishte shpjeguar Trump.
Tani, drafti i marrëveshjes e përkufizon saktësisht kërkesën.
Nëse marrëveshja do të pranohej, sipas The Telegraph, “kërkesat e Trump do të përbënin një pjesë më të madhe të PBB-së së Ukrainës sesa dëmshpërblimet që iu imponuan Gjermanisë nga Traktati i Versajës”, i cili më 7 maj 1919 i dha fund zyrtar Luftës së Parë Botërore, “më pas të reduktuara nga Konferenca e Londrës në 1921 dhe Plani Dawes në 1924”.
Kushtet e propozuara, sipas gazetës britanike, “janë më të rënda se sanksionet financiare të vendosura ndaj Gjermanisë dhe Japonisë pas disfatës së tyre në vitin 1945”. “Të dyja këto vende, në fund të fundit, ishin përfituese neto të fondeve nga aleatët fitimtarë”.