“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit”, thuhet në reagimin e Qeverisë
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës nga ana e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një komunikatë për media Qeveria njofton se po i përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit të Dhomave të Specializuara “të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”, shkruan në reagimin e Qeverisë.
Qeveria theksoi se UÇK-ja ka luftuar për çlirimin e Kosovës dhe “mbrojtjen e pragut të shtëpisë” e jo në tokë të huaj ndërsa “si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë”, thuhet në fund të deklaratës nga ekzekutivi.
Reagimi i Qeverisë së Kosovës vjen vetëm pak pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi u konfirmua aktakuza ndaj tij nga Gjykata Speciale. Thaçi e njoftoi dorëheqjen dhe konfirmimin e aktakuzës në një konferencë për media dhe tha se këtë vendim e merr për të mbrojtur integritetin e shtetit të Kosovës.
Në fund të qershorit, Zyra e Prokurorit të Specializuara i ka paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzë ku presidenti Thaçi akuzohet “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura” gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ditëve të fundit, Dhomat e Specializuara i konfirmuan aktakuzën edhe ish-udhëheqësit të shërbimit informativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Kadri Veseli, si dhe dy ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, Jakup dhe dhe Rexhep Selimit.
Në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës u formua Gjykata Speciale, me institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.