Kryeministri Edi Rama këtë të diele gjatë fjalës së tij në podkastin e tij “Flasim” ka folur lidhur vizitën e tij në Greqi në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Delphit. Rama theksoi se gjatë takimit të tij me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis shprehën besim se do të arrijnë të adresojnë siç duhet çështjet e mbartura ndër vite mes dy vendeve.
“Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por përsëri i lidhur me sa thashë në krye të herës, me pozicionin e Shqipërisë dhe me dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me një reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe të historisë Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal dhe në këtë rast edhe të marrëdhënies me vendin fqinj.
Shkova për të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë që të pritesha nga kryeministri i Greqisë dhe një mik i vyer, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Më vjen shumë mirë të them se nga ana e kryeministrit ka një vullnet absolut për të bërë pikërisht adresimin me prioritet të të gjitha çështjeve të bartura për të konfirmuar brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë si gjithmonë, me përjashtim të ndonjë momenti të vështirë, në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian.
Dhe, thënë të gjitha këto, jam shumë optimist dhe njëkohësisht jam shumë besimplotë se falë edhe angazhimit personal të kryeministrit, Mitsotakis ne do të dimë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri, qoftë për shqiptarët në Greqi”, tha Rama.

