Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar sot një takim virtual me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mori pjesë, ndërsa nuk dihet nëse ishte i ftuar apo ajo, shkruan Express.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Ai shkroi se në këtë takim janë pajtuar për përgatitjet për Forumin Ekonomik për Bashkimin Rajonal që do të mbahet në 29 korrik në Shkup.
Zaev shkroi se “ky është Ballkani i ri, Evropian”.
Më 23 qershor, Forumi Ekonomik i kishte bërë bashkë tre liderët, ku kishin diskutuar për bashkëpunimin rajonal.
Rama aty shprehej se nuk do të duhej të kishte zona kufizimesh në rajon, duke avokuar sërish për “mini-Schengenin”.
“Jemi shumë të vegjël për të qenë të izoluar nga njëri-tjetri. Jemi të vegjël për të mbartur urrejtje”, kishte deklaruar Rama.
Po në qershor, ryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë përmes një paraqitje me video në një konferencë për “mini Schengenin”. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, morën pjesë gjithashtu në takim.
Rama, Vuçiq dhe Zaev e kishin nënshkruar një deklaratë në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019 mbi krijimin e një “mini-Schengeni” midis tre vendeve. Një ftesë për t’u bashkuar në këtë iniciativë u dërgua edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje.
Kosova u zotua në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.
Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti kishte deklaruar se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.
“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.