Konflikti Rusi-Ukrainë duket se përshkallëzohet me çdo minutë që kalon. Sot është shënuar një tjetër lëvizje domethënëse të Rusisë duke shtuar frikën e një lufte të mundshme ndaj Ukrainës. Mediat e huaja kanë bërë me dije se në kufi të vendit është hapur një “bankë gjaku”, gjë që është konsideruar si një tregues që Moska është gati për të hapur luftë nga momenti në moment.
Zbulimi është bërë nga zyrtarët të vendit, që kanë zgjedhur që të japin lajmin duke folur në kushte anonimiteti, ndërsa kjo lëvizje ka shtuar shqetësimin në rritje të SHBA-së. Ndërkohë që paralelisht më shumë se 100 mijë trupa janë vendosur pranë kufirit të dy vendeve. Mediat janë interesuar për verifikimin zyrtar të lajmit, por Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i është përgjigjur një kërkesë për të dhënë një koment lidhur me pretrendimet.
Konflikti Perëndim-Rusi për Ukrainën
SHBA dhe aleatët e saj po konfliktohen me Rusinë që pas vitit 2014 lidhur me orientimin dhe të ardhmen politike të Ukrainës. SHBA kërkon që ta integrojë Ukrainën në NATO, ndërsa Rusia është shprehur kategorikisht kundër kësaj lëvizjeje pasi me përfshirjen e shtetit ukrainas në NATO, mund të kërcënohej integriteti territorial i saj. Presidenti amerikan Joe Biden ka kërcënuar homologun rus Vladimir Putin se nëse sulmon ushtarakisht fqinjin e tij ukrainas, shteti amerikan do të marrë sanksione personale ndaj tij. Nga ana tjetër, Kremlini u përgjigj se kërcënime të tilla janë në dëm të zgjidhjes së konfliktit për Ukrainën.
Edhe Bashkimi Europian ka kërcënuar Rusinë se do të zbatojë sanksione të rënda ndaj funksionarëve të saj nëse godasin Ukrainën. Nga ana tjetër, SHBA po furnizon me armatime shtetin ukrainas pasi e ka paralajmëruar se rreziku i pushtimit të saj nga Rusia është i pashmangshëm. Gjermania ka refuzuar të armatosë Ukrainën për të shmangur një konflikt direkt me Rusinë.
Gjatë janarit, u zhvilluan disa raunde bisedimesh mes SHBA dhe Rusisë, dhe gjeneralëve të NATO-s dhe atyre rus, por deri tani asnjë rezultat konkret nuk është arritur.
Marrë nga mint.com