Serwer s’pret marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi

 93 total views,  1 views today

Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Washington, Daniel Serwer, është i bindur se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet, por jo në muajt e ardhshëm.

Në një intervistë për “VoA”, eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit është shprehur se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është sinjal pozitiv, por ka shtuar se “nuk është mirë që flasin në kontekste negative ndaj njëri-tjetrit”.

Ai ka theksuar se Vuçiqi e ka bërë të qartë se s’është i gatshëm të ndërmarrë hapa sikur njohja e Kosovës, para zgjedhjeve presidenciale në Serbi.

Kur bëhet fjalë për Kurtin, Serweri ka thënë se janë disa pyetje. “Çfarë pret ai nga e gjithë kjo? Ai do të kërkojë dhe do të pyesë për përgjigje adekuate”, ka thënë Serwer.

Edhe pse ka shprehur bindjen se një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet, Serweri beson se shumë gjëra duhet të ndodhin paraprakisht, duke iu referuar edhe që “Beogradi të njohë se e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën”.

“Nuk pres që Beogradi do të menaxhojë ndonjëherë më me Kosovën. S’ka bisedime për këtë, por mendoj se ato mund të jenë shtete mike dhe shpresoj. Të mos ketë konflikte diplomatike apo ushtarake”, ka shtuar ai.

Të martën, Kurti e Vuçiq u takuan për herë të parë në krye të shteteve në Bruksel. Kosova paraqiti katër propozime, ndërsa palët nuk arritën pajtim për asgjë. Si nga ana e shteteve në dialog, por edhe nga ndërmjetësuesi – Bashkimi Evropian – takimi u konsiderua i vështirë.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •