SHBA “ndez motorët” për Asociacionin e komunave serbe, cakton datën për diskutimet e para

 92 total views,  1 views today

Shtetet e Bashkuara përmes ambasadës së tyre në Kosovë kanë njoftuar se më 31 janar do të mirëpresë një diskutim mbi Asociacionin e komunave serbe, ku do të jenë të ftuar liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ambasada ka thënë për Radio Europa e Lirë se synim i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja. “Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin, për të cilin u arrit një marrëveshje në 2013 që u rrezua nga Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni synonte mbrojtjen dhe respektimin e interesave të dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë, veçanërisht në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

SHBA sheh miratimin e Asociacionit si një hallkë vendimtare në zgjidhjen e ngërçit midis Prishtinës dhe Beogradit.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin dhjetor deklaroi se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.