Një javë me përpjekje diplomatike nga ana e presidentit amerikan, Joe Biden, nuk ia ka dalë t’i qetësojë tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës, por megjithatë, ka ruajtur unitetin me aleatët evropianë kundër Moskës, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet t’i ekspozojë çarjet, thonë analistët e politikës së jashtme, shkruan në një analizë të gjatë të agjencisë Reuters.
Në këtë analizë thuhet se pasi ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përçmoi hapur NATO-n dhe u largua nga Evropa duke vënë në pikëpyetje angazhimin e Uashingtonit ndaj Aleancës, disa analistë thonë se Putini dukej se po testonte deklaratën e Bidenit se “Amerika është kthyer” në skenën botërore.
Rusia nuk u largua nga takimet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane këtë javë, por bisedimet përfunduan me zyrtarët amerikanë që paralajmëruan se rreziku i pushtimit rus të Ukrainës mbetet i lartë pa asnjë shenjë se Moska do të tërheqë rreth 100.000 trupa pranë kufirit ukrainas në kazermat e saj.
Rusia mohon se planifikon ta sulmojë Ukrainën, por thotë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara ushtarake nëse nuk plotësohen kërkesat e saj – përfshirë një premtim nga aleanca e NATO-s për të mos e pranuar kurrë Ukrainën.
Bideni mori detyrën në janar 2021 duke bërë thirrje për lidhje “të parashikueshme” me Rusinë dhe duke minimizuar ndikimin global të Moskës.
Por, Putini tregoi muskujt ushtarakë, duke lëvizur trupat dhe pajisjet ushtarake afër kufirit të Rusisë me Ukrainën gjatë vitit të kaluar dhe duke nxitur diplomacinë e intensifikuar të SHBA-së me Moskën.
Putini nuk do ta linte veten “të zhvlerësohej” nga Uashingtoni, thonë analistët.
Përpjekja e Bidenit për të rindërtuar lidershipin e SHBA-së globalisht u pengua gjithashtu nga tërheqja kaotike e trupave amerikane nga Afganistani në gusht që e shtyu Bashkimin Evropian të shqyrtonte mundësinë për t’u bërë më i pavarur nga ushtria amerikane.
Bideni është përballur me dyshime të vazhdueshme për besueshmërinë e Amerikës si partner. Udhëheqësit e grupit të shtatë ekonomive të përparuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian janë të shqetësuar për lavjerrësin e politikës amerikane që lëkundet sërish.
Ndërsa ishte në detyrë, Trumpi kërcënoi se do të tërhiqej nga NATO-ja dhe akuzoi evropianët se kanë kontribuuar shumë pak në mbrojtjen e tyre.
Edhe pse Bideni u zotua të vazhdojë të japë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe të rrisë mbështetjen nëse Rusia e pushton, përgjigjja e Uashingtonit ka qenë pothuajse tërësisht diplomatike dhe Perëndimi nuk është në gjendje ta mbrojë Ukrainën ushtarakisht, vlerëson Reuters.
Zyrtarët amerikanë kanë kaluar javë të tëra duke u përpjekur të sigurojnë që Evropa të sinkronizohet me reagimin e planifikuar të Uashingtonit për sanksionet, por nuk është arritur një marrëveshje e qartë se cilat sanksione specifike do të vendosen.
Ndërsa Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Rusisë kur aneksoi Krimenë e Ukrainës në vitin 2014, blloku ka treguar ndarje mbi mënyrën se si të merret me Moskën, e cila përbën një të tretën e importeve të gazit nga BE-ja.