Qeveria e Kanadasë ka njoftuar se do të ndalojë përkohësisht hyrjen në vend të shtetasve të huaj që kanë qëndruar në Republikën Demokratike të Kongos gjatë 21 ditëve të fundit, si masë për të parandaluar përhapjen e virusit Ebola.
Vendimi hyn në fuqi më 20 korrik dhe bie në kundërshtim me rekomandimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila këshillon të mos vendosen kufizime udhëtimi apo tregtie, duke argumentuar se masa të tilla mund të stigmatizojnë komunitetet dhe të vështirësojnë kontrollin e epidemisë.
Autoritetet kanadeze pranojnë se rreziku për përhapjen e Ebolës në Kanada mbetet i ulët, por theksojnë se kufizimet synojnë të ulin rrezikun për shëndetin publik, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Sipas të dhënave të autoriteteve në Kongo, deri më 15 korrik janë regjistruar mbi 2.100 raste me Ebola, ndërsa 828 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i sëmundjes.


