Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Bashkimit Evropian të bëjë më shumë për ta dënuar deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq për “spastrim etnik” në Kosovë, duke thënë se përgjigja fillestare e bllokut evropian ishte e “kufizuar dhe e vonuar”.
Paunoviq, ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, tha fundjavën e kaluar për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të ish-lideri serb Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta dhe Kosova tashmë ka ngritur padi ndaj saj dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen në vend.
Të shtunën, Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri Jashtëm, Glauk Konjufca, i dërgoi letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, për të kërkuar reagim më të fuqishëm nga klubi evropian pjesë e të cilit synojnë të bëhen si Kosova, ashtu edhe Serbia.
Në ketë letër, e cila mban datën 16 korrik, Qeveria e Kosovës kërkon nga BE-ja “që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunoviq, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”.
Deklarata e Paunoviqit është dënuar tashmë nga BE-ja dhe dënimin e përsëriti të enjten komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, duke thënë se ishte e habitur se si ajo vazhdon të mbetet ministre në Qeverinë serbe.


