Tifozët e Superligës së Kinës në futboll kanë gjetur një mënyrë atraktive për të shmangur ndalimin për spektatorët nëpër ndeshjet kampionale për shkak të rrezikut nga përhapja e pandemisë së koronavirusit. Ata kanë filluar të marrin me qira dhoma të hoteleve, të cilët kanë pamje nëpër stadiumet ku do të zhvillohet ndeshjet e Superligës kineze.
Edicioni i ri në elitën e futbollit kinez ka filluar javën e shkuar pas shtyrjes që nga muaji shkurt shkaku i pandemisë COVID-19. Dueli i xhiros së parë që u zhvillua të martën ndërmjet skuadrave Shanghai SIPG dhe Tianjin Teda është përcjellë nga tifozët, të cilët kishin marrë dhoma me qira në “Sports International Hotel” në Kunshan.
Brohoritjet e tifozëve të dyja skuadrave dëgjoheshin nga dhomat e hotelit derisa skuadra Shanghai SIPG triumfoi me rezultatin 3:1, falë dygolëshit të realizuar nga braziliani Ricardo Lopes. Hoteli ku ishin vendosur tifozët është afër stadiumit “Kunshan Stadium” në Souzhu, një prej vendeve neutrale që përdoret për sezonin e ri të Superligës së Kinës, shtet që u godit në fund të vitit të shkuar nga koronavirusi.
Edicioni i ri në Kinë ka filluar pas më shumë se pesë muajve me vonesë, kurse Federata e Futbollit të Kinës, ka marrë vendim që të gjitha ndeshjet të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, pa praninë e tifozëve nëpër tribuna.