12 viktima të vërshimeve në Kinë

 947 total views,  1 views today

Vërshimet masive në pjesën qendrore të Kinës, të cilat u shkaktuan nga reshjet rekorde, kanë lënë 12 të vdekur dhe mbi 100.000 të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Nga vërshimet janë prekur mbi dhjetë qytete të provincës Henan. Në pamjet që po qarkullojnë në internet shihen njerëz të zhytur në ujë deri në gjoks nëpër rrugë dhe stacione të trenit.

Presidenti kinez, Xi Jinping, tha të mërkurën se situata për parandalimin e vërshimeve është shumë e ashpër dhe në një fazë kritike, shkruan BBC.

Ai shtoi se vërshimet tashmë kanë rezultuar në humbje konsiderueshme të jetës së njerëzve dhe të pronës dhe i udhëzoi të gjitha departamentet që ta bëjnë prioritet sigurinë e njerëzve dhe të pronës së tyre.

Provinca Henan, ku jetojnë 94 milionë njerëz, e ka lëshuar nivelin më të lartë të alarmit për mot të lig. Autoritetet lokale i cilësuan këto vërshime si ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet.

Niveli i ujit në disa diga dhe rezervuarë e ka kaluar shkallën paralajmëruese dhe ushtarët janë mobilizuar për t’ua ndryshuar drejtimin e rrjedhës lumenjve që kanë dalë nga shtrati. Udhëtimet me tren dhe aeroplan janë pezulluar në shumë pjesë të provincës Henan.

Sipas raportimeve të medieve lokale, rreth 700 udhëtarë në Zhengzhou mbetën të bllokuar në një tren për së paku 40 orë. Thuhet se ata u furnizuan me ushqim, por jo në sasi të mjaftueshme.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •