Poeti vlonjat Lefter Çipa është ndarë nga jeta këtë të shtunë në moshën 79 vjeçare.
Lajmin për ndarjen nga jeta të poetit pas një sëmundje të rëndë e ka dhënë djali i tij Aleksandër Çipa përmes një postimi në rrjetet sociale.
Çipa njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare, ai është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj. Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.
Ka qenë autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.