Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka deklaruar se ndër hapat e parë kjo parti që i ndërmerr në Kuvend është ndryshimi i ligjit për votimin e diasporës.
Këto deklarime, Kryeziu i ka bërë duke thënë se numri i votave të pavlefshme nga diaspora është dëshmi se procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet.
“Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryeziu ka thënë se mërgata kosovare duhet të votojë në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës ne vendet ku jetojnë.
“Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”, ka shtuar ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të dielën se mbi 16.000 zarfe nga diaspora janë pranuar, ku nga to, 6.000 janë pranuar ndërsa 800 janë refuzuar.
“Arsyet tjera se përse nuk janë aprovuar kanë të bëjnë me faktet se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); se në pakon që e kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide; dhe se kanë dërguar fletëvotime më shumë se dy herë”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.