Sot para 22 vitesh, NATO nisi sulmet ajrore ndaj caqeve të makinerisë serbe të luftës, për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi.
Ajo ishte një ditë shprese për të gjithë shqiptarët. Por nuk doli kështu për Nesrete Vejsa-Nukën që humbi shumë familjarë.
“Kemi pasur shumë shpresë që në Kosovë do të futen forcat e NATO-s dhe ne do të shpëtojmë. Kemi shpresuar se gratë dhe fëmijët nuk do të preken”, fillon rrëfimin për RTV Dukagjinin, Nesrete Vejsa Nuka.
Gjakova ishte komuna që pësoi më së shumti në njerëz nga lufta. Nga 1,022 viktimat në këtë komunë, në mesin e tyre ishin edhe 12 anëtarët e familjes së Nesrete Vejsa Nuka.
“Kaluan 22 vite dhe dhimbja vazhdon të mbetet e madhe. Unë kam humbur 12 anëtarë të familjes me 1 prill. Kam humbur nusen e vëllait me 5 fëmijë, motrën me 3 fëmije. Aty ka qenë e strehuar edhe nëna e nuses me motrën 14-vjeçare. Nusja e djalit të hallës me 3 vajzat po ashtu kanë humbur jetën”.
Tri ditë pas masakrës ajo e kuptoi se kishte humbur familjarët.
“Kisha një parandjenjë nga një ëndërr. E pashë në ëndërr që shtëpia e vëllait u dogj dhe ai fluturonte në tym. Menzi e kalova natën dhe prita të del dita. Menjëherë desha të shkojë te shtëpia e nënës. Burri nuk më la të shkojë dhe shkoi vet. Kur arriti atje e pa që kishte shumë polic. I pyeti se çfarë ka ndodhur. Ata i kanë thënë “keni kërkuar NATO-n, ja çfarë ju bëri NATO”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
I vetmi i mbijetuar i asaj masakre ishte Dren Caka.
“Kësaj masakre i ka shpëtuar djali i djalit hallës, Dren Caka. Ai kishte shpëtuar duke u plagosur në dorë”.
Si shumë raste në Kosovë, Nesretja thotë se edhe në rastin e familjes së saj u tradhtuan nga ata me të cilët janë rritur bashkë.
“Ne jemi rritur bashkë me ata serbë e malazez. Dreni thotë se aty kanë qenë shtatë policë e paramilitarë të lagjes. Si figura i ka njohur por me emra nuk i ka mbajtur në mend pasi ishte vetëm 10-vjeçar.