Senatori republikan, Lindsey Graham, e mbrojti të drejtën për të poseduar armë sulmuese, duke deklaruar se ka një armë të gjatë të tipit AR-15 dhe se është i përgatitur që ta përdorë atë për ta mbrojtur shtëpinë.
Aleati i ngushtë i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, tha se mban këso arme që të luftojë kundër bandave që do të vinin në lagjen e tij në rast të ndonjë katastrofe natyrore, shkruan Daily Mail.
“Unë kam një AR-15. Nëse ndodh një fatkeqësi natyrore në Karolinën Jugore, ku policët nuk mund ta mbrojnë lagjen time, shtëpia ime do të jetë e fundit ku do të vijnë banditët, sepse unë mund ta mbroj veten. Nuk jeni të detyruar që të keni AR-15, por nëse e keni ligjërisht, mendoj se duhet t’ju lejohet qe ta mbani”, deklaroi senatori.
Debati rreth të drejtave për mbajtje të armëve u aktualizua përsëri në Shtetet e Bashkuara pas sulmit masiv në Atlanta, ku u vranë tetë persona, dhe një sulmi tjetër në Colorado, ku mbetën të vrarë dhjetë persona.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit që ta miratojë legjislacionin për kontroll më të rreptë të armëmbajtjeve. Ky legjislacion është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, por ka pak gjasa që të miratohet edhe në Senat.