Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbyllur fushatën në qytetin e Tiranës në sheshin “Nënë Tereza”.
Basha tha se dita e diel është dita e ndryshimit dhe e fitores më të bukur, sepse kjo është fitorja e Shqipërisë.
Kreu i opozitës gjithashtu tha se nuk është më koha për të qarë, sepse të dielën të gjithë bashkë me votën për numrin 9 do të sjellim fitoren më të madhe në historinë e Shqipërisë.
“Kjo mbrëmje magjepsëse shënon fundin e një rrugëtimi. Një rrugëtimi që e nisëm bashkë nga ky shesh pak më pak se një muaj më parë, e që na ka çuar nga jugu në veri, nga Tropoja në Sarandë, nga Korça në Durrës, cep më cep të Shqipërisë, të një Shqipërie të mbushur me shpresë, të një Shqipërie që po mbushet me gëzimin e fitores që po vjen. Sepse pas 8 vitesh të një rrugë tjetër, në çdo fshat dhe qytet, në çdo shtëpi, sipërmarrje dhe fermë, kam parë në sytë e nënave tona, jo më dëshpërimin, jo më lotët por gëzimin për ditën e madhe që po afron. Ditën e fitores së çdo shqiptari, ditën e fitores së demokracisë, ditën e fitores si Shqipëria si gjithë Europa duke votuar numrin 9-të”, tha Basha.
Sipas tij, ndryshimi është tashmë çështje orësh. “Ai është madhërisht këtu në këtë shesh, në gjokset tuaja, në sytë tuaj, në zërin tuaj, ushton, ushton, ushton, numri 9-të. Për ndryshim, për fitoren e çdo familjeje shqiptare, për fitoren e nënave shqiptare, lotët e të cilave nuk kanë pasur të tharë këto 8 vite të vështira me fëmijët e larguar në emigracion, me burrat e shpunësuar, me shtëpitë e prishura, pasiguri për të nesërmen, pa rend, pa drejtësi por nënat shqiptare kudo ku i kam takuar, nënat shqiptare që ju shoh këtu në këtë shesh e kanë ngritur kokën, sepse kanë shpresë, kanë besim dhe të dielën vjen ndryshimi për ato. Dhe për bashkëshortët e tyre, baballarët tanë të stërmunduar në 8 vite të një dimri pa fund, pa mundësi, pa një derë për të trokitur, pa një fjalë të ngrohtë, pa një dorë pas shpine por vetëm me vuajtje dhe mjerime, vetëm me çmime që rriteshin, vetëm me borxhe ku zhyteshin por i shoh sot, i shoh sytë e baballarëve, i dëgjoj thirrjet e tyre, e dinë, po vjen, nuk ndalet ditën e diel ndryshimi duke votuar numrin 9 dhe për fëmijët tanë, për vogëlushët tanë, për ata për të cilët po e bëjmë këtë betejë, më të madhen betejë, më të madhën betejë për zgjedhjet me praninë dhe masivitetin më të madh në 30 vite, për fitoren më të thellë në 30 vite, për fëmijët tanë, për shqiptarët e vegjël, shqiptarët e Shqipërisë si gjithë Europa, ditën e diel votojmë numrin 9”, tha Basha.
Është zgjuar shpresa dhe besimi me të cilin bashkë kemi arritur ëndrrat, shtoi ai, dikur të paprekshme për këtë komb.
“Kam besim tek ju, sepse bashkë ne kemi ditur të bëjmë gjëra të mëdha, gjëra në dukje të paarritshme e që sot i gëzon çdo shqiptarë. Ne ishim burrat dhe gratë që hoqëm vizat. Ne ishim burrat dhe gratë që lidhëm kombin. Ne ishim burrat dhe gratë që mundësuam zhvillimin. Ne jemi sot këtu, në këtë shesh dhe gjithë ky gëzim, ky ngazëllim, ky shesh magjepsës, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme për mua, për ekipin tim të mrekullueshëm, për t’ju shërbyer dhe për të bërë realitet ëndrrat tuaja, ambiciet tuaja, për ta çuar Shqipërinë përpara, atje ku e meriton, në gjirin e Europës. Asaj të cilës i përket, aty do të jetë. Aty ku e do rinia shqiptare dhe kurrë më plagët e zemrave të nënave nuk do të kullojnë, sepse ne jemi këtu, me një zotim, me një vullnet. Ndryshim! Ndryshim! Ndryshim për Shqipërinë! Bashkë për Ndryshim”, u shpreh Basha.