Vajza e veprimtarit Jusuf Gërvalla, Donika Gërvalla, vite me parë kishte folur lidhur me vrasjet e pasluftës të aktivistëve të LDK-së.
Gërvalla, që tani është minsitre e Jashtme në Qeverinë Kurti, në InfoBox të RTV Dukagjinit, në vitin 2016 ka thënë se posedon fakte të shkruara të cilat tash sipas saj i ka deponuar në disa Gjykata, ndërsa të njëjtat kishte deklaruar se do t’i bëjë edhe kur të nis së funksionuari edhe Gjykata Speciale.
Ndërkaq, ish-krerët e PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, i kishte cilësuar si njerëz të krimit.
“Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaci që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaci. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë. Gjykata Speciale ende nuk është institucion që një qytetar t’i drejtohet, brenda mundësive që kam patjetër (se do t’i drejtohen), sa do të merren në konsideratë është gjë tjetër”, kishte thënë Gërvalla.
Deklarimet e saj, u rikthyen gjashtë vite më pas, për të cilat të enjten u debatua ashpër duke përdorur gjuhë edhe denigruese mes deputetëve pozitë, opozitë.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në fjalën e tij në Kuvend, e quajti ministren Gërvalla “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”.
“Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë. Ti nuk më përfaqëson mua. Ti je turpi më i madh. Sot nëse do të kishim një kryeministër të përgjegjshëm, sot do të duhej të ju shkarkonte. As edhe një minutë t’i nuk mund të jesh ministre e punëve të jashtme”, i tha Tahri.
Tahiri shtoi se edhe sot ishim dëshmitar të një angazhimi dhe denigrim dhe ofendimin e luftës së UÇK-së, nga ministrja e Jashtme.
“Ajo edhe sot vazhdoi ta fyente luftën e UÇK-së, kauzën tonë për liri dhe pavarësi, ajo i fyeu sot të gjitha gratë e dhunuara, sakrificën më të madhe të kombit shqiptar. Ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja të flet me narracionin e ndërtuar në Beograd. Fjalimi i saj ishte i njëjtë me pasardhësin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit pra Ivica Daçiqit”, tha Tahiri.
Por vet ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, akuzoi deputetët e PDK-së se janë fajtorët kryesorë që kanë ndihmuar në formimin e Dhomave të Specializuara.
“Ju pikërisht jeni përgjegjës që prijësit tuaj sot ndodhen në Hagë. Ju, duke mohuar të vërtetën nuk do ta zgjidhni këtë çështje. Bëhuni seriozë, bëhuni opozitë serioze dhe konfrontohuni me të vërtetën tuaj dhe mos mashtroni votuesit tuaj”, deklaroi ministrja Gërvalla.
“Gjykata Speciale nuk është instaluar ngas Serbia, është instaluar nga ju. Sepse ju jo vetëm që nuk keni luftuar por nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pasluftës, por jeni munduar ta evitoni këtë dhe e keni bërë të mundur krijimin e Gjykatës Speciale dhe e keni votuar. Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli, dhe tani jeni në nevojë për të sqaruar se përse e keni bërë një gjë të tillë. Ju jeni pikërisht përgjegjës që prirësit tuaj sot ndodhën në Hagë, duke mohuar të vërtetën nuk do të gjeni zgjidhje”, tha Gërvalla.
Ai shtoi se si ministre është zotuar që interesat e Kosovës t’i përfaqësojë në mënyrën më të dejën të mundshme në arenë ndërkombëtare.
“Po ju drejtohem juve deputetëve të PDK-së. Korrupsioni nuk është shpikje e jona e as narrative e Serbisë, por realtitet i hidhur i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qeveria jonë është zgjedhur për të luftuar krimin e korrupsionin e instaluar më së shumti nga ju, nga PDK. Ju jeni përgjegjës për instalimin e korrupsionit, dhe është detyra jonë luftimi i korrupsionit”, ka thënë Gërvalla.