Fotografi kafshësh, humor zyrtar, enigma dhe shumë oferta për vende pune. Çfarë qëndron prapa ofensivave në mediat sociale të shërbimeve sekrete si BND, Verfassungsschutz, GCHQ, CIA, FBI apo Secret Service?
“Përshëndetje nga qendra” ishte mesazhi i parë në instagram, që Shërbimi i Jashtëm Informativ gjerman BND dërgoi javën e kaluar; “Hello World”, një përshëndetje e njohur nga skena e programimit, ishte mesazhi i parë, që dërguan në 2016 në twitter deshifruesit britanikë të GCHQ.
Enti Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës (Bundesamt für Verfassungsschutz) shënoi hyrjen në botën e twitterit me një shembull humori zyrtarësh: Në vitin 2018 shërbimi i brendshëm informativ gjerman postoi një comic-strip, në të cilin një kapele pyet tjetrën: “Edhe ti këtu? – Po, por mos i trego askujt!”. Dhe CIA amerikane me cicërimen e saj të parë në twitter në 2014 nuk dëshironte “as ta konfirmonte dhe as ta mohonte se kjo ishte cicërima e parë e CIA-s”.
Çfarë qëndron prapa ofensivës globale të mediave sociale të shërbimeve sekrete? “Qëllimi ynë kryesor është që të pozicionojmë BND si punëdhënës tërheqës dhe modern dhe të zgjojmë interesin e talenteve të rinj”, kështu i përshkruan Shërbimi i Jashtëm Informativ gjerman qëllimet e aktiviteteve të tij në mediat sociale në bisedë me DW. Për këtë qëllim, ai ka një kanal në instagram dhe në youtube dhe në pranverën e vitit 2021 zhvilloi një fushatë të gjerë në twitter për të rekrutuar punonjës për BND nga qarqet e hakerëve.
Gjinia dhe diversiteti
CIA tregon në mediat sociale anën e saj njerëzore. Spiunët nga Langley nisën një seri postimesh në twitter dhe instagram, “Njerëz nga CIA”, ku prezantohen punonjësit e shërbimit sekret amerikan. Gjinia dhe diversiteti luajnë këtu një rol të madh, gjë që nganjëherë çon në debate të nxehta.
Në prezantimin e një punonjëseje amerikanolatine të CIA-s me identitet seksual jo-binar Mike Pompeo, ish-shefi i CIA-s dhe ministër i jashtëm i SHBA nën presidentin Donald Trump, shkruante në twitter: “është mbledhja e patriotëve jashtëzakonisht të talentuar, që i shërbejnë Amerikës në CIA, ajo që e bën atë shërbimin më të mirë të spiunazhit në botë (…) Ne nuk mund të rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare duke kënaqur një woke-axhendë liberale”. Senatori republikan Ted Cruz shkroi: “Nëse do të ishe një komunist kinez, një mullah iranian ose Kim Jong Un – a do të të ngjallte frikë?”
“Pa diskutime politike”
Diskutime si këto nuk mund të priten në prezencën e BND-së gjermane në media sociale. Nga njëra anë strategjia e shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane në lidhje me gjininë dhe diversitetin nuk ka arritur ende në selinë e re të BND-së. Nga ana tjetër shefi i BND, Bruno Kahl thekson: “Ne nuk do të kemi në instagram diskutime politike. Llogaria jonë është thjesht një kanal i punëdhënësit”. E thënë thjeshtë: ne duam të gjejmë personel, jo të diskutojmë për punën tonë.
Në përpjekjet për të krijuar një lidhje personale me ndjekësit e tyre në mediat sociale disa agjenci të tjera të inteligjencës përdorin çdo mjet. Secret Service, përgjegjës për mbrojtjen e presidentit të SHBA, i përshëndeti abonentet e tij në twitter në “diten e kafshëve shtëpiake” me fotografi qensh.
Limitet e publikimit
Por mesazhet e shërbimeve sekrete në twitter nuk janë gjithmonë aq paqësore. Në pësëvjetorin e vrasjes së Osama bin Laden (“Operation Neptun Spear”) në 2016 CIA postoi të gjithë rrjedhën e operacionit në sekuencën origjinale. Për paraqitje të tilla BND gjermane thotë se “një shërbim inteligjence nuk mund të flasë publikisht për operacionet e tij, zbulimet dhe metodat sekrete”. Pra kush ka shpresuar për postime të operacioneve spektakolare të inteligjencës gjermane do të zhgënjehet. Megjithatë historiani i BND, Bodo Hechelhammer poston rregullisht në llogarinë e tij private në twitter rrëfime nga historia e shërbimeve sekrete gjermane.
Kush zgjidh enigma, është interesant
Në social-media-feed të shërbimeve sekrete ka gjithmonë diçka për të zbuluar. Shumë të preferuara janë enigmat matematikore dhe lojërat interaktive për trurin. Christopher Andrew, themelues i studimeve britanike për shërbimet sekrete dhe profesor në Universitetin e Kembrixhit, mendon se shërbimet e inteligjencës janë duke kopjuar strategjitë e rekrutimit të koncerneve të mëdha të teknologjisë. Kush zgjidh me sukses një enigmë, merr jo rrallë një ftesë për intervistë tek deshifruesit e kodeve.
“Ajo që po përjetojmë, është që shërbimet sekrete bëjnë reklamë në mediat sociale”, thotë profesori Andrew. Së bashku me doktor Daniela Richterova nga Universiteti Brunel në Londër, shkencëtari do të sjellë rezultatet e një hulumtimi mbi aktivitetet e shërbimit sekret në mediat sociale në një libër që do të botohet në 2022. Në një intervistë për DW Richterova përmbledh qëllimet e shërbimeve sekrete në mediat sociale: “Shërbimet sekrete duan të shpjegojnë misionin e tyre, të legjitimojnë ekzistencën e tyre, të tregojnë sukseset e tyre dhe mbi të gjitha, të rekrutojnë personel të ri.
Se sa të suksesshëm janë ata në këtë fushë, është e diskutueshme. Richterova citon shembullin e shërbimit sekret sllovak, i cili në vitin 2020, vitin e parë të pranisë së tij në media sociale, njoftoi një rritje prej 77 përqind të numrit të aplikimeve. Lidhur me numrin e ndjekësve pamja është shumë e ndryshme: Ndërsa FBI dhe CIA kanë përkatësisht 3.3 dhe 3.2 milion ndjekës në twitter, Enti Federal Gjerman për Mbrojtjen e Kushtetutës ka vetëm 28.000 ndjekës ndërsa kanali youtube i BND vetëm 1130 abonentë.
Postimet e shërbimeve të fshehta në internet nuk hasin gjithmonë në pëlqime. Sidomos në komunitetet online të ekspertëve shumë të kërkuar të IT marketingu i personelit nga ana e shërbimi sekret shihet shpesh me tallje dhe refuzim. Portali IT “Golem”, për shembull, akuzoi BND për përdorimin e “marketingut gueril” për të fshehur “makinacionet e tij të liga” prej nazistësh të vjetër, të mbikëqyrjes masive dhe kërcënimit të sigurisë.
E ardhmja do të tregojë, nëse shërbimet sekrete do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë për punën e tyre debatet në internet që nxisin përmes aktiviteteve në mediat sociale. Mbetet e dyshimtë, nëse postimet me mace aziatike që tundin krahun (BND), kafshë shtëpiake (Secret Service), urime për shën Valentinin (CIA) apo shakatë e Monty Python (MI 5 dhe MI 6) do t’i bëjnë ato më efektive apo më transparente.