era e vitit 2021 pritet të futet në librat e historisë, pasi një pjesë e madhe e perëndimit të Shteteve të Bashkuara është përfshirë nga vapa historike, thatësia ekstreme dhe rreziku për zjarre të mëdha në natyrë, që tashmë kanë filluar në rajon.
Një krizë e tillë është zgjeruar edhe në Kanada. Të hënën, temperatura në rajonin British Columbia shkoi në 46.6 gradë, duke shënuar rekord për atë zonë. Popullsia e asaj pjese nuk është e mësuar me temperatura të tilla, sepse rajoni njihet më shumë për mot të freskët, të vranët e me shi.
Ekspertët kanë frikë se kushtet katastrofale, të përforcuara nga kriza klimatike, vetëm sa do të përkeqësohen në muajt e ardhshëm, shkruan The Guardian.
Në mbrëmje, temperatura në Seattle ishte 42 gradë. Në Portland u shënua rekordi prej 46 gradësh, pasi të shtunën dhe të dielën pati rekorde më të ulëta, 42 e 44 gradë.
“Ky është fillimi i një emergjence të përhershme. Ne duhet ta luftojmë burimin e këtij problemi, që është ndryshimi i klimës”, tha Jay Inslee, guvernator i shtetit veriperëndimor të ShBA-së, Uashington.
Vala e vapës, e cila, sipas meteorologëve, është shkaktuar nga shtypja e lartë e ajrit, u zgjerua nga Kalifornia në jug deri në territoret kanadeze të Arktikut dhe është përkeqësuar nga kriza globale, e shkaktuar nga njeriu.
Temperaturat e larta i detyruan autoritetet në jugperëndim të Kanadasë që t’i mbyllin shkollat e bizneset. Edhe qendrat për testim për Covid-19 dhe njësitë mobile për vaksinim ishin jashtë funksionit.